OPINION

Thaçi si Ivica Daçiq, por Kosova nuk është Palestinë!

Shkruan: Enver BYTYÇI
Presidenti i Kosovës ka lëshuar sot një deklaratë të çuditshme. “Nëse nuk e zgjidhim tani konfliktin me Serbinë, tha ai, Kosova mund të bëhet si Palestina”! Më bën përshtypje nga e merr gjithë këtë guxim ky njeri? Të jesh president nuk do të thotë se je gjithçka! Të jesh president nuk do të thotë të fantazosh për qëllime politike personale! Të jesh president nuk do të thotë të bësh presion ndaj opozitës dhe qytetarëve të Kosovës! Të jesh president nuk do të thotë se je zot e shkop!

Të jesh president do të thotë të zgjidhësh problemet. Kujt ia kërkon Thaçi zgjidhjen?! A nuk ishte ai nga fillimi e deri në fund autor dhe aktori kryesor i mbrapshtive pa fund në marrëveshjet që ka nënshkruar me Serbinë?! Pse ai e kërcënon opozitën? Pse kërcënon opinionin publik dhe gjithë qytetarët e Kosovës?! Sepse dëshiron t’i hapë rrugë kompromisit me Beogradin për ndarjen e Kosovës! Sepse donë të justifikojë këtë akt të rëndë në dëm të interesave të vendit, me arsyetimin se “Po mos bëjmë marrëveshje për ndarjen e Kosovës atëherë shteti i Kosovës do të ruante statusin e Palestinës në kohë pafund!!! Sepse dëshiron që opozita t’i japë legjitimitet e ta mbështesë në aventurën për ndarjen e Kosovës.

Por Kosova nuk është e nuk bëhet Palestinë! Në territorin e Kosovës nuk ka dy shtete, pavarësisht formalizimit të pranisë së shtetit serb me lejen e zotit Thaçi! Në Kosovë nuk ka një shtet me dy territore siç është Palestina me Rripin e Gazës dhe me Cisjordaninë! Sepse Kosova është në Europë e jo në Azi! Sepse pa stabilitetin e Kosovës nuk do të ketë paqe në rajon e në Europë dhe destabilizimi i Ballkanit nuk është njëjtë me destabilizimin në Lindjen e Mesme, ku konfliktet shihen si lojë cirku! Sepse Kosova është kompakte dhe ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës! Sepse Kosova dhe siguria e saj janë të garantuara nga NATO! Sepse për çlirimin e Kosovës kanë  luftuar jo vetëm shqiptarët por edhe Aleanca Atlantike! Sepse Kosova është Jerusalemi I Amerikës dhe shumë shteteve ike e të fuqishme të Europës! Sepse Kosova është e rrethuar me shtete ku jetojnë shqiptarë! Dhe ka edhe njëmijë sepse të tjera zoti president! Zoti Thaçi nuk e bën dot Palestinë Kosovën, edhe sikur të bëhet bashkë me djajtë e të gjithë planetit!

Krahasimi që bëtë sot zoti President i Kosovës është fyerje për inteligjencien e qindra akademikëve dhe intelektualëve shqiptarë, të cilët e dinë se deklaratat tuaja janë lojë politike. E prisja nga Daçiq këtë lloj deklarate, por nuk e prisja nga presidenti i Kosovës?! Beogradi thotë se “Kosova është Serbi”, presidenti Thaçi thotë se “Kosova është Palestinë”!

I bëj thirrje opozitës dhe gjithë shqiptarëve të ngrihen e t’u tregojnë vendin politikanëve sharlatanë si Hashim Thaçi të cilët atë që shqiptarët e fituan me gjak, duan t’ia japin Serbisë të paguar me flori!