Kosova

Thaçi: Shqetësim për Kosovën është paranoja për NATO-n dhe jo prezenca e saj

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha pas takimit me Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo në Departamentin e Shtetit se politika kosovare, partitë politike dhe qeveria duhet të orientohen dhe të marrin vendimet që i përkasin kultivimit të partneritetit strategjik me ShBA.

Duke komentuar për Zërin e Amerikës menjëherë pas takimit, ai tha se “është qëndrim i qartë i ShBA që Kosova ka nevojë të prodhojë argumente pozitive për të lehtësuar mbështetjen e ShBA-ve për zhvillimet në Kosovë, për zhvillimin e saj ekonomik.”

“Nuk është i këshillueshëm konfrontimi me dikë për të lënduar raportet strategjike me ShBA, NATO–n dhe Bashkimin Evropian. Por para së gjithash ne jemi të bekuar me këtë interesim të ri dhe konkret të SHBA për Kosovën,” tha Presidenti i Kosovës.

Zoti Thaçi tha se i kërkoi Sekretarit Pompeo që roli udhëheqës i Shteteve të Bashkuara për arritjen e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë të vazhdojë. Ai tha se kishte marrë zotimin e tij e në të njëjtën kohë kishte shfaqur edhe zotimin e Kosovës “që të jemi sa më shpejtë pjesë e NATO-s, sepse kemi një ushtri profesionale dhe multietnike.”

Zoti Thaçi komentoi edhe për kritikat e kryeministrit Albin Kurti për atë që ai e quan shkelje të Kushtetutës nga zoti Thaçi kur ishte kryeministër lidhur me marrëdhëniet e FSK-së me NATO–n, Presidenti i Kosovës tha: “Kosova është e bekuar që ka NATO-n në Kosovë dhe ky partneritet vetëm sa do të avancohet derisa të jetë Kosova pjesë e NATO-s. Shqetësim për Kosovën është paranoja për NATO-n dhe jo prezenca e NATO-s.”

Presidenti Thaçi u prit gjithashtu me ceremoni në Departamentin e Mbrojtjes.