Kosova

Thaçi reagon kundër sulmit me vezë ndaj Hotit

Për sulmin me vezë ndaj zëvendëskryeministrit Avdullah Hoti, ka reaguar edhe presidenti Hashim Thaçi.

Presidenti Thaçi thotë se tendenca për ta arsyetuar dhunën si mjet për arritjen e qëllimeve politike, është e papranueshme e e dënueshme.

“Sulmi me vezë ndaj Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, është i papranueshëm dhe i dënueshëm në demokracinë dhe shtetin që kemi ndërtuar. Tendenca për ta arsyetuar dhunën si mjet për arritjen e qëllimeve politike ka qenë dhe do të mbetet përherë e papranueshme dhe e dënueshme”, shkruan Thaçi.

Hoti sot gjatë ditës është sulmuar me vezë deri sa ishte afër ndërtesës së qeverisë. Pas sulmit, Hoti tha se “Porositësit e veprimit të sotëm tentojnë ta mbajnë Kosovën të izoluar”.

“Kosova më nuk është e izoluar. Të izoluar janë vetëm ata që po japin urdhra të tillë”, ka shkruar ai.

Ndërkohë, Policia e Kosovës, ka njoftuar se kanë nisur punët hetimore.

“Me të pranuar informatën për rastin, njësitë përkatëse të Stacionit Policor ‘Qendra’ kanë dalë në vendngjarje, kanë filluar veprimet operative-hetimore, është njoftuar prokurori dhe në konsultim me të është iniciuar rasti ‘Sulm’. Për të reja tjera rreth rastit u njoftojmë me kohë”, ka thënë për Koha.net Bajram Krasniqi, zëdhënës në PK.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.