Kosova

Thaçi po “avancon” me 7 vota pro në Gjykatën Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese do t’ia rrëzojë dekretin për mandatarin presidentit Hashim Thaçi, por do t’i hapë rrugë planit të tij për ta bërë një qeveri të re, pjesë e së cilës nuk do të jetë Lëvizja Vetëvendosje, subjekt politik që i ka fituar zgjedhjet. Shtatë gjyqtarë të Kushtetueses janë mobilizuar për të gjetur arsyetime mbështetëse për këtë.

Një burim në Kushtetuese i ka thënë “Kohës Ditore” të enjten se dekreti me të cilin kreu i shtetit e ka caktuar për mandatar Avdullah Hotin e Lidhjes Demokratike do të shpallet antikushtetues, meqë ai është nxjerrë pa përgjigjen definitive të LVV-së për kandidatin për kryeministër.

Por, Aktgjykimi do të thotë shprehimisht se jodomosdo pas mocionit kundër Qeverisë vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Po kështu, do të parashohë edhe mundësinë e bërjes së një qeverie, pa partinë fituese të zgjedhjeve.

Sipas këtij burimi, Kushtetuesja do të “caktojë” një afat 15-ditësh, brenda të cilit partia që presidenti i drejtohet me kërkesën për ta dhënë mandatarin, duhet ta propozojë emrin e kandidatit për kryeministër ose duhet shprehimisht të heqë dorë nga kjo e drejtë.

 “Janë shtatë gjyqtarë që po punojnë për të gjetur arsyetime mbështetëse për këtë. Një është kundër, ndërsa një nga nëntë gjyqtarët aktualisht nuk është i përfshirë në lëndë dhe nuk besoj që do të votojë, shkaku se është me probleme shëndetësore dhe ndodhet në trajtim mjekësor”, ka thënë ky burim.

Pas mocionit kundër Qeverisë së drejtuar nga kreu i LVV-së, Albin Kurti, presidenti Thaçi është bazuar në nenin 95 të Kushtetutës, për t’i dhënë zgjidhje situatës.

Ndryshe nga dy mocionet e mëhershme, pas së cilave qytetarët u janë drejtuar kutive të votimit, pas këtij kundër Qeverisë Kurti, kreu i shtetit ka thënë se duhet evituar zgjedhjet. Prandaj, konform këtij neni që i referohet situatës së paszgjedhjeve, presidenti i ka kërkuar kreut të LVV-së një mandatar të ri për kryeministër../koha.net

Leave a Reply

Your email address will not be published.