Kosova

Thaçi pas bisedës me Mogherinin: Megjithëse e padrejtë, taksa duhet të hiqet menjëherë për të vazhduar Dialogu

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i ka telefonuar Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, për, siç ka thënë ai, t’u ankuar kundër qasjes destruktive të Serbisë e cila po e kushtëzon dialogun me heqjen e taksës ndaj mallrave serbe.

Thaçi, në një postim në Facebook, ka thënë se Dialogu gjithmonë ka qenë i pakushtëzuar nga cilado palë dhe se ky ka qenë dhe duhet të mbetet ende parimi udhëheqës.

“Prandaj, është krejtësisht e papranueshme që Serbia e ka kushtëzuar vazhdimin e tij, duke përdorur si pretekst vendosjen e taksës ndaj produkteve të saj. Pikërisht për t’u ankuar kundër kësaj qasjeje destruktive të Serbisë, sot bisedova përmes telefonit me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini. Me këtë rast shpreha shqetësimin tonë për kushtëzimet e paarsyeshme të Serbisë, të cilat pamundësojnë vazhdimin e dialogut. Por, përkundër mirëkuptimit nga ana e saj, mesazhi ishte i qartë: ‘Dialogu duhet të vazhdojë dhe të dyja palët duhet të përmbahen nga veprimet e njëanshme që pengojnë vazhdimin e tij’”, thotë Thaçi.

Por, presidenti i vendit thotë se pavarësisht se mund të duket e padrejtë, “ne duhet të tregohemi sërish pragmatikë dhe t’i respektojmë këshillat e BE-së dhe të SHBA-së”.

“Qëndrimi i BE-së dhe SHBA-së është i qartë dhe nuk lë vend për interpretime të lira. Duhet ta heqim menjëherë pretekstin që po e shfrytëzon Serbia për bllokimin e dialogut. Ky veprim demonstron përkushtimin tonë për marrëveshje paqësore dhe për më tepër, ruan dhe forcon aleancën tonë me BE-në, NATO-n dhe në mënyrë të veçantë me SHBA-në”, theksoi Thaçi në postimin e tij në Facebook./koha