INTERVISTA

Thaçi: Nuk i pranojmë kushtëzimet nga Serbia, taksa mbetet në fuqi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se tarifa e vendosur për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, nuk do të hiqet. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, presidenti Thaçi foli edhe për Samitin e Berlinit, që sipas tij, nuk ka nxjerrë ndonjë konkluzion të qartë, derisa kritikoi sërish Bashkimin Evropian për mosunitet.

Ndërkaq, rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, e sheh si të pashmangshëm. Thaçi tha se është kundër shkëmbimit të territoreve, por është i bindur që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, duhet t’i bashkëngjitet territorit të Republikës së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: President Thaçi, pas Samitit të Berlinit ju nuk ishit shumë optimist se do të ketë lëvizje pozitive në drejtim të përmbylljes së procesit të dialogut me Serbinë dhe arritjes së një marrëveshjeje finale. Ku aktualisht qëndrojnë pengesat kryesore në këtë proces?

Hashim Thaçi: Unë them që takimi (Samiti) i Berlinit, nuk ka nxjerrë ndonjë konkluzion të qartë, ndërsa jam optimist se në Paris, mund të kemi një qartësi dhe një dinamikë të re të angazhimeve për gjetjen e një mundësie për përmbylljen e dialogut mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, që mbyllen të gjitha çështjet e hapura me mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, dhe që rezulton me njohje reciproke.

Radio Evropa e Lirë: E shihni si vazhdim të procesit të dialogut apo fillim të ri?

Hashim Thaçi: E shoh si dinamikë të re në kuadër të kornizave të udhëheqjes së Bashkimit Evropian dhe zonjës (Federica) Mogherini, por tash me prezencën edhe të kancelares (Angela)Merkel dhe presidentit (Emmanuel) Macron. Shoh një koncept dhe vizion interesant dhe kreativ nga presidenti Macron, dhe prandaj besoj që do të ketë edhe një konsultim shtesë të vendeve të Kuintit, mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, në mënyrë që të jenë unike në pozicion e tyre, karshi dialogut Kosovë-Serbi, në mënyrë që të reflektojë ky unitet edhe në shoqëri, edhe në skenën politike në Kosovë, por edhe në Serbi dhe të kemi një marrëveshje të pranueshme për palët, por edhe të zbatueshme në terren.

Radio Evropa e Lirë: Nuk i kursyet nga kritikat as BE-në dhe vendet e Kuintit. A nënkupton kjo që procesi nuk është duke u udhëhequr si duhet?

Hashim Thaçi: Definitivisht, në Berlin është treguar edhe njëherë se sa e dobët është Evropa dhe se sa jo unik është Bashkimi Evropian dhe çfarë paqartësie kanë mes veti liderët e vendeve përkatëse. Ishte një vullnet i mirë i kancelares Merkel, por jo rezultativ.

Radio Evropa e Lirë: Keni përmendur edhe rolin e SHBA-së në proces si të pashmangshëm për arritjen e marrëveshjes. Në çfarë kuptimi keni menduar, marrë parasysh faktin që Uashingtoni disa herë është shprehur se e mbështetë procesin që udhëhiqet nga BE-ja?

Hashim Thaçi: Në kuptimin e rolit vendimtar dhe historik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të kaluarën, kur ka arritur paqen në Dejton për Bosnje Hercegovinën, marrëveshjen në Rambuje për Kosovë, e gjithashtu kontributin e jashtëzakonshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për marrëveshjen në Ohër të Maqedonisë së Veriut, por edhe marrëveshjen në Konçul. Prandaj, e ritheksoj edhe sot, dhe jo rastësisht kam diskutuar me përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ambasadën amerikane në Berlin rreth dy orë para takimit në Berlin, se roli i SHBA-së edhe në procesin aktual, atë të dialogut Kosovë-Serbi është i pazëvendësueshëm dhe nuk mund të arrihet një marrëveshje pa rolin dinamik dhe udhëheqës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

E them këtë, për arsye se presidenti (Donald) Trump, ka qenë shumë i qartë në mesazhet e tij dhe formula e gjetjes së zgjidhjes për marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi, është në substancën dhe kornizën e letrave të presidentin Trump.

Radio Evropa e Lirë: Ju keni përmendur në shumë raste edhe idenë e korrigjimit të kufirit, si pjesë të negociatave, por nuk keni marrë mbështetje, sidomos në Prishtinë, e së fundit edhe në Samitin e Berlinit. Për çfarë korrigjimi angazhoheni ju?

​Hashim Thaçi: Unë gjithmonë kam qenë kundër dhe do të vazhdoj të jem gjithmonë kundër shkëmbimit të territoreve sepse është pazar dhe një gjë të tillë nuk do ta lejoj që të ndodhë. Kam qenë, jam dhe do të vazhdoj të mbes fuqishëm në favor të korrigjimit të padrejtësive historike në rastin e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Punoj fuqishëm që ajo pjesë e Preshevës, Medvegjës dhe Bujoncit që t’i bashkëngjitet territorit të Republikës së Kosovës. Diçka të tillë kam prezantuar edhe në Samitin e Berlinit, por Samiti i Berlinit nuk ka sjell ndonjë ide të re, por nuk i ka mbyllur asnjë ide të diskutuar deri më tani, pra edhe atë të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.