Kosova

Thaçi në konferencë për shtyp: Të gjithë duhet ta respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e vendit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se askush nuk ka të drejtë t’i mbajë zyrat e institucioneve të vendit të uzurpuara.

Ai ka thënë se është qenësore për demokracinë e Kosovës që Gjykata Kushtetuese të punojë e pavarur pa presione nga cilado palë.

Sipas tij, askush nuk mund ta bllokojë vendin dhe institucionet e shtetit.

“Të gjithë duhet ta respektojmë procesin elektoral të 6 tetorit, të respektojmë Kushtetutën dhe ligjet e vendit, askush nuk ka të drejtë të pretendojë të mbajë të uzurpuar asnjë zyre të institucioneve të vendit sidomos pa vendimit të Kuvendit. Askush nuk e din se si do të jetë vendimi i Kushtetueses, askush nuk duhet të paragjykojë, por të gjithë duhet ta pranojnë me kulturën më të lartë”, ka thënë ai.

Thaçi ka thënë se askush nuk do të mund ta destabilizojë shtetin.

Ai thotë se pas takimit me liderët e partive politikë, ata janë shprehur kundër shpërndarjes së Kuvendit.

Sipas tij, LDK ka dëshmuar se mund ta ketë shumicën për krijimin e qeverisë.

“Nuk dua të paragjykoj se cili do të jetë vendimi i Kushtetueses. Besoj që këtë vendim do ta respektojnë të gjitha palët, është e rëndësishme të mos ketë paragjykime, kërcënime dhe sidomos demonstrime në këtë kohë pandemie”, ka shtuar tutje ai.

Thaçi ka thënë se ka kërkuar nga VV të tejkalohet ballafaqimi i rrezikshëm me SHBA-në.