Kosova

Thaçi ndanë detaje nga biseda telefonike me Borellin

Zyra për media e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë detaje lidhur me telefonatën që kreu i shtetit ka zhvilluar me Përfaqësuesin e Lartë të BE’së për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Josep Borell.

Siç thuhet në komunikatë presidenti Thaçi dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së janë pajtuar për nevojën e themelimit sa më shpejtë të institucioneve të reja qeverisëse në Kosovë.

“Jemi të vetëdijshëm që na presin detyra të mëdha dhe se është e nevojshme që sa më parë të kemi Qeveri të re, që do të përballet me sfidat dhe do t’i realizojë obligimet ndërkombëtare që ka Kosova”, ka thënë Thaçi, transmeton Kosova.info.

Tutje kreu i shtetit ka  theksuar se Kosova është e përkushtuar t’i përfundojë reformat që ka nisur dhe të cilat janë përcaktuese për anëtarësimin e Kosovës në BE.

Presidenti Thaçi gjithashtu ka kërkuar që BE-ja ta përmbushë obligimin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, sepse Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme.

“Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet. Parlamenti dhe Komisioni Evropian kanë rekomanduar heqjen e vizave për Kosovën. Qytetarët e Kosovës me të drejtë presin vendim meritor në këtë pikë”, ka thënë Thaçi në bisedën telefonike me Josep Borell.

Të dy përgjatë kësaj bisede u pajtuan rreth nevojës që të vazhdojë dialogu i pakushtëzuar në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe për domosdoshmërinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila nënkupton njohjen reciproke ndërmjet dy shteteve.

Në fund të bisedës, presidenti Thaçi ka thënë se e mirëpret vizitën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, në Republikën e Kosovës.