Kosova

Thaçi kujton Mujë Krasniqin me shokë: Ata u bënë frymëzim për mijëra ushtarë të UÇK-së

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një shkrimi ka kujtuar heroin Mujë Krasniqi, i cili 21 vite më parë ra në pritë nga serbët dhe u vra bashkë me 41 bashkëluftëtarë të tij.

Thaçi ka shkruar se ai ishte frymëzim për mijëra ushtarë dhe vullnetarë që pandalshëm po i bashkoheshin radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më poshtë gjeni të plotë shkrimin e Thaçit në facebook:

Sot u bënë 21 vjet nga rënia heroike e Mujë Krasniqit dhe 41 bashkëluftëtarëve të tij. Komandant “Kapuçi” ishte ndër luftëtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Edhe pse ende i pashëruar, ai nuk kishte pranuar të qëndrojë larg luftës, por në kushte të rënda dimri, me plagë në trup dhe me plot armatim ishte nisur drejt frontit në Kosovë.

Gjatë hyrjes në Kosovë, Muja dhe bashkëluftëtarët e tij kishin rënë në një pritë serbe, ku pas betejës së ashpër dhe thyerjes disa herë të rrethimit, duke u munduar që t’i tërheq luftëtarët e tij, heroikisht ra edhe vetë komandanti, njëri ndër bartësit kryesorë të luftës së UÇK-së plot një dekadë.

Rënia e Mujës dhe e 41 luftëtarëve të tij ishte një goditje e rëndë për luftën tonë, por ata u bënë frymëzim edhe për mijëra ushtarë dhe vullnetarë që pandalshëm po i bashkoheshin radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës! HTH.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.