Kosova

Thaçi: Komunat serbe s’kanë shfaqur interesim për mësimin online

Jusuf Thaçi, zëvendësministër i MAShTI-t, në “Express Intervistën” në KTV, ka folur rreth procesit të mësimit online gjatë pandemisë.

Ai tha se fillimi ishte me probleme të ndryshme, por tha se procesi po shkon duke u stabilizuar.

“Kemi filluar me një grup të vogël të mësimdhënësve, pa një plan të përgjithshëm. Kemi punuar vetëm me mësimdhënësit nga Komuna e Prishtinës. Pastaj, e kemi përgatitur planifikimin për muajt tjerë të këtij viti shkollor. Brenda një jave na duhet të xhirojmë mbi 500 video për të pasur material të mjaftueshëm për javën pasuese. Kjo vlen vetëm për nxënësit në gjuhën shqipe. Por jemi duke punuar edhe për nxënësit e komuniteteve turke dhe boshnjake. Ata kanë nisur të mësojnë fillimisht gjuhën amtare dhe matematikë, pastaj do të rritet numri i lëndëve”, tha Thaçi.

Ai tha se është një ekip i madh që po punon në këtë proces. “Nuk e dimë saktësisht se sa persona janë të përfshirë, por janë deri në 150 mësimdhënës të përfshirë në gjuhën shqipe, turke dhe boshnjake. Pastaj është pjesa teknike që merret me xhirime. Pastaj mësimdhënësit që po i bëjnë korrigjimet përmbajtësore të sllajdeve që po paraqiten në televizione”, theksoi Thaçi.

Ai foli edhe për nxënësit e gjuhës serbe, duke thënë se ministria i ka kontaktuar komunat me shumicë serbe, por se deri më tani nuk ka pasur ndonjë reagim nga ta.

“I kemi kontaktuar disa herë komunat me shumicë serbe, u kemi treguar se çfarë jemi duke bërë në këtë kohë, në mënyrë që edhe ata të përfitojnë nga kjo. Por, deri më tani s’ka ndonjë reagim konkret nga ta. Megjithatë, ne do t’i ofrojmë të gjitha kushtet sikurse për të gjithë nxënësit e gjuhëve tjera”, deklaroi ai.

Thaçi tha se është e pamundshme të zhduken të gjitha gabimet gjuhësore që shfaqen nëpër mësimet online.

Zv/ministri i Arsimit, Jusuf Thaçi, tha se për shumicën e mësimdhënësve është stresuese kjo formë e mësimdhënies, pasi për shumicën nga ta është hera e parë që paraqiten në televizion.

Për nxënësit e shkollave të mesme, Thaçi tha se ata janë më të rritur dhe e kanë qasjen më të lehtë në teknologji.

“Të gjitha shkollat e mesme janë udhëzuar që të ofrojnë mësim online përmes platformave të ndryshme. Deri më tani, disa shkolla të mesme janë duke e zbatuar mirë mësimin online. Në disa shkolla e në disa komuna ka vështirësi, sidomos në shkollat profesionale. Çështja e vlerësimit të nxënësve është çështje tjetër, por sa i përket pamundësisë së qasjes në internet, ne kemi kontaktuar me ofruesit e shërbimeve të internetit për të parë mundësinë e qasjes në internet për të gjithë që kanë nevojë për mësimin online. Na është thënë që teknikisht është vështirë e realizueshme”, deklaroi zv/ministri i Arsimit, Jusuf Thaçi.

Lini një Përgjigje

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.