Kosova

Thaçi tregon tri arsyet pse takimi në Washington është i një rëndësie jetike për Kosovën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në konferencë për media ka folur rreth udhëtimit të tij të fundit në Washington ku ka pasur takime të ndryshme, përfshirë edhe atë me të dërguarin special të presidentit Donald Trump, Richard Grenell për dialogun me Serbinë e presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Thaçi tha këtë konferencë për media e thirri pasi iu pamundësua që të raportojë nga Kuvendi.

Ai thotë se ka në Washington ka një angazhim të madh për mundësinë e arritje së paqes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, “pra për procesin e mundësisë së marrjes së njohjes nga Serbia për anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe hapjen e mundësisë që sa më shpejtë të bëhemi anëtarë të NATO-s dhe BE-së”.

Presidenti Thaçi në konferencë për media tha se në ShBA, në takime të ndryshme, ka diskutuar për përpjekjet e Kosovës për paqe të qëndrueshme, për mundësinë e anëtarësimit në NATO, për ushtrinë, e për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Në të gjitha këto takime kam theksuar rolin e pazëvendësueshëm të ShBA-së për paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, dhe rolin e saj për dialogun. Kam diskutuar për ushtrinë e Kosovës dhe nevojën që Kosova të jetë sa më parë në NATO dhe që ushtria jonë të pajiset me standarde të larta. Kemi marrë mbështetje të plotë për forcimin e ushtrisë dhe lëvizjen drejt anëtarësimit në NATO”, u shpreh Thaçi.

Ai shtoi se ka marrë mbështetje të plotë nga sekretari i shtetit, Mike Pompeo, për të arritur një marrëveshje të paqes me Serbinë, me ç’rast thotë se i është premtuar, “qindra miliona dollarë investime në Kosovë posa të arrihet një marrëveshje me Serbinë”.

“Në Shtëpinë e Bardhë jam thirrur nga ambasadori Grenell, të hënën më 2 mars. Me ftesë të tij, dhe në prezencë të Këshilltarit për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien, jam takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq”, u shpreh ai.

Sipas Thaçit ky takim është i rëndësishëm për disa arsye.

“E para: Takimi shënon rikthimin e fuqishëm të ShBA-së në procesin e kërkimit apo mundësisë së arritjes së marrëveshjes përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë. Të gjithë në Kosovës kanë kërkuar prezencën amerikane në këtë proces. Gjithashtu që Washingtoni të merr një rol bosht në këtë rrethanë, ndërsa sot e kemi një rol udhëheqës të saj, pra është një sukses historik. E dyta: Takimi shënon gatishmëri për të vazhduar procesin pas një stagnimi prej një viti e më tepër. E treta: Takimi në Washington është i rëndësishëm pasi e lehtëson apo mund të bëjë edhe më të afërt arritjen e marrëveshjes. I bën më reale gjasat, që një gjë e tillë e munguar për dy dekada, të mund të arrihet në Washington”, deklaroi Thaçi.

Thaçi: E kemi përkrahjen e plotë të presidentit Trump – ta shfrytëzojmë momentumin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas kthimit nga ShBA-ja ku zhvilloi takime me zyrtarë shtetërorë atje, ka mbajtur një konferencë për media për të treguar rreth atyre takimeve.

Ai tha se Kosovës i ka mbetur vetëm edhe hapi i fundit për përmbylljen e plotë të njohjes ndërkombëtare që është anëtarësimi në Kombet e Bashkuara, “që do të thotë anëtarësim në të gjitha organizatat ndërkombëtare”.

“Do të thotë, jetë më të mirë për qytetarët tanë, paqe në Ballkan, e jetë më të dinjitetshme për qytetarët tanë”.

Thaçi tha se dialogu i nisur me Serbinë, tash e gati një dekadë, është nisur me premtimin për njohje reciproke, ndërsa e falënderoi BE-në për ndihmën që i ka dhënë këtij dialogu.

“Pas çdo takimi në Bruksel, unë kam raportuar në Kuvendin e Kosovës dhe procesi gjithmonë ka qenë transparent, por ky proces fatkeqësisht nuk arriti atë që ne dëshiruam. Mungesa e unitetit ndër shtetet e BE-së u reflektua edhe në gjasat e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të saj ende nuk arritën të bindin 5 shtetet e saj për njohjen e Kosovës. Ndërsa, nuk shihet as në horizonte që BE t’i bindë këto vende për ta njohur Kosovën, e lëre më Serbinë që ta njohë Kosovë – gjasat janë zero, pra kjo është dëshpëruese”, theksoi Thaçi në këtë konferencë, raporton Koha.net.

Ai tha se vonesa nuk është në interesin tonë, por shtoi se duhet të jemi unikë e të bashkuar, “siç kemi qenë në Rambuje dhe Vjenë, nga ku kemi dalë fitues”.

“Edhe sot jemi në një pozitë të njëjtë, dhe unikë e të bashkuar mund të dalim faqebardhë, sepse presidenti Trump ka shtuar vëmendjen për Kosovën dhe rajonin, kemi Grenellin që me guxim e vizion po e shtyn përpara dialogun dhe maksimalisht po angazhohet për marrëveshjen finale. Kjo është mundësi e re që duhet ta shfrytëzojmë. Humbja e këtij momentumi nënkupton se do të paguajmë çmim”, theksoi Thaçi.

Kreu i shtetit shtoi se pavarësia e Kosovës, sovraniteti i saj, nuk ka vetëm miq.

Ai tha se pyetja më e rëndësishme është se çfarë duhet të bëjmë ne.

“E para, duhet të jemi unikë. I tërë spektri politik dhe institucional, kjo do të lehtësonte mbështetjen e partnerëve tanë për të ardhmen e sigurt të Kosovës, e kundërta është forcim i argumenteve të kundërshtarëve të Pavarësisë së Kosovës. Për Kosovën nuk duhet të ketë dallime mes individëve, apo partive politike. Këtë e presin qytetarët. Dëshiroj të theksoj se gjithnjë kam qenë i gatshëm të punoj për të mirën e vendit dhe dallimet e vendit duhet të mbesin këtu. Edhe sot bëj ftesë për unitet politik dhe për bashkërendim të hapave tonë. E kemi rastin më të mirë tash, jo nesër. E kemi përkrahjen e plotë të presidentit Trump, vëmendjen e plotë të Grenellit, kemi mundësinë për të përmbyllur njëherë e përgjithmonë kapitullin e luftës dhe për të hapur një kapitull të ri. Është një moment vendimtar, dhe i një mundësie historike. Tani kemi rolin udhëheqës të ShBA-së dhe duhet të jemi dhe të veprojmë me unitet”, u shpreh presidenti Thaçi.

Më tej, ai tha se “Serbia ka thënë se është e pamundur edhe liria e Kosovës, edhe pavarësia, edhe ushtria – por të gjitha janë arritur”.

“Ne duhet të kemi besim në vetvete. Jam i bindur se njohja reciproke do të ndodhë. Gjithashtu kur dihet se marrëveshja do të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës”, theksoi ai.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.