Rajoni

Të hënën protesta kundër vendimit të gjykatës për burgosjen e babait të Almirit

Për të hënën janë paralajmëruar protesta kundër vendimit të Gjykatës Themelore të Kumanovës, e cila ka urdhëruar që babai i Almir Aliut, 4 vjeçarit që u shkel për vdekje me makinë nga Boban Iliqi më 4 korrik të vitit 2016 të paraqitet në burg më 1 mars. Sipas vendimit të gjykatës, babai i Almirit, Sedat Aliu dhe dy familjarët e tij, Avdulla Aliu dhe Sami Demiri janë dënuar me 6 dhe 9 muaj burg. Protesta do të mbahen në Kumanovë para gjykatës themelore.

Mbrojtja e familjes së Almirit ka dërguar në gjykatë kërkesë për shtyrjen e vuajtjes së dënimit me burg. Ndërkohë avokati Asmir Alispahiq tha për Televizionin Shenja se janë duke përgatitur edhe ankesë për në Gjykatën për të drejtat e njeriut në Strasburg.

“Nga ana ime në afatin kohor prej tre ditëve, dërguam kërkesë për prolongimin e vuajtjes së dënimit, mbështetur me dëshmi. Nga ana jonë për tre të akuzuarit është dërguar në baza të ndryshme. Gjithashtu dua të njoftoj opinionin se nga ana jonë si mbrojtje po e përgatisim aplikimin që do të dërgohet në kohë deri te Gjykata ndërkombëtare në Strasburg me qëllim që edhe kjo gjykatë të njoftohet me shkeljet që janë bërë nga ana e gjykatës së shkallës së parë dhe ajo e shkallës së dytë”, tha avokati Asmir Alispahiq.

Pasi Gjykata e Apelit konfirmoi dënimin me 6 muaj burg për babain e Almirit dhe nga 9 muaj për dy familjarët e tij, Gjykata Themelore e Kumanovës lëshoi urdhëresën që të tre të paraqiten në burg për të vuajtur dënimin nga 1 marsi. Ndërkohë Gjykata e Apelit, kishte ulur dënimin nga 6 në 4 vite burg për vrasësin e Almirit, Boban Iliq, i cili kishte goditur me veturën e tij vogëlushin i cili humbi jetën si pasojë e kësaj goditje.