Kosova

Testohet rezistenca

Me rezistencë në rrugë do t’i përgjigjet Lëvizja Vetëvendosje (LVV) “normës” Kushtetuese që pritet ta “shkruajë” Gjykata Kushtetuese, nëpërmjet Aktgjykimit për Dekretin e presidentit Hashim Thaçi, i cili Avdullah Hotin e Lidhjes Demokratike (LDK) e bën mandatar për formimin e Qeverisë së re. LVV-ja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nuk pranon zgjidhje tjetër, përpos zgjedhjeve të parakohshme.

Një ditë para afatit të fundit, brenda të cilit Kushtetuesja ka paraparë ta publikojë verdiktin për këtë dekret, kjo parti do të testojë në sheshin qendror të Prishtinës organizimin e një proteste në kushte pandemie.

LVV-ja ka ndërmarrë tashmë veprime për realizimin e këtij aktiviteti.

Dy ditë më parë Qeveria Kurti ka kumtuar se nga e enjtja do të hiqet kufizimi për qarkullimin e qytetarëve gjatë ditës.

Të mërkurën, ndërkaq, qendrat e LVV-së nëpër komuna janë organizuar për t’i transportuar aktivistët deri në kryeqytet. Ata do të sillen me autobusë.

Simulimi i protestës është arsyetuar në këtë parti, që ka dalë e para në zgjedhje, por kundër së cilës është bërë i gjithë spektri politik dhe do që ta nxjerrë në opozitë.

“Në vazhdimësi gjatë kësaj kohe kemi pasur kërkesa e interesim të shumtë të qytetarëve për të protestuar në lidhje me zhvillimet në vend. Pas realizimit të suksesshëm të provës së parë nga qytetarë e aktivistë ne kemi menduar të realizojmë testin e dytë, por në përmasa më të mëdha”, thuhet në një përgjigje që LVV-ja ia ka dhënë KOHËS. “Pra, kjo sigurisht se nuk është një protestë, por një performancë me 3,500 deri në 5,000 persona”.

Në Polici është konfirmuar se është ofruar leja për realizimin e këtij aktiviteti, i cili është më masivi që pritet të organizohet prej se në Kosovë janë vendosur kufizimet e lëvizjes dhe qarkullimit, si masë kundër përhapjes së pandemisë së shkaktuar nga virusi vrasës SARS-CoV-2.

“Policia e Kosovës e njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime publike, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”, thuhet në përgjigjen që Policia e ka dhënë për KOHËN. “Policia e Kosovës do të ndërmerr të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe vendimeve të institucioneve kompetente për menaxhimin e situatës në këtë kohë të pandemisë COVID-19, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, shëndetin publik, si dhe për të respektuar vendimet, masat dhe kufizimet e parapara ndaj pandemisë”.

Prova për protestë pritet që të fillojë nga ora 17:00 dhe të realizohet deri në orën 19:00. Ajo do të mbahet në tri sheshe të Prishtinës: Në sheshin “Skënderbeu”, në sheshin “Ibrahim Rugova”, si dhe në sheshin “Adem Jashari”. Këto sheshe i kufizojnë godinat e institucioneve qendrore: Presidencës, Kuvendit dhe Qeverisë.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.