Kombëtare

Testohet për herë të tretë për Covid-19 punëtorja e Qendrës së Shëndetit Mendor në Pejë

Në mesin e 51 personave që janë konfirmuar të dielën mbrëma nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik pozitiv me virusin korona në Kosovë, ka qenë edhe një rast nga qyteti i Pejës.

Mirëpo, ky rast ende nuk është i sigurt nëse është pozitiv, pasi qytetares që banon në lagjen Kristal të Pejës, për herë të tretë i është marr mostra për testim, për shkak se dy testet e para, njëra ka dal negativ, e pastaj testi i dytë pozitiv.

“Na edhe një herë kemi marr mostër për ta testuar, sepse dy herët e para njëri test doli negativ, e pastaj testi tjetër pozitiv. Dje e kemi marr edhe një herë mostrat për ritestim, e kemi dërguar dje pas dite dhe jemi në pritje të rezultatit të saktë dhe nuk mund ta konfirmojmë pa na e konfirmuar Instituti a është negativ apo pozitiv. Mostrat i janë marrë edhe anëtarëve të ngushtë të familjes së saj. Sot e presim rezultatin definitiv dhe atë konfirmim zyrtar me postë elektronike”, tha për Kohën, Adnora Nurboja, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik në Pejë.

Qytetarja që është duke pritur rezultatin e testimit të tretë, është pastruese në Qendrën e Shëndetit Mendor në Pejë.

Drejtori i kësaj Qendre, Skender Kandiq, tha për Kohën se stafi mjekësor që ka qenë në kontakt me atë punëtore, menjëherë është futur në vetizolim.

“Për të minimizuar mundësinë e infektimit me virusin korona, unë e kam nda në punë në dy grupe stafin mjekësor. Grupin e stafit mjekësor që ka qenë në ndërrim me punëtoren e dyshuar me virus, e kam futur në izolim, përfshirë edhe vetën time, që jam në vetizolim në shtëpi. Ndërsa objekti qendrës është duke u dezinfektuar”, tha Kandiq.

Ndërkohë pritet t’i bëhet testimi edhe stafit të kësaj qendre. Deri tash në Pejë janë diagnostikuar gjashtë veta pozitivisht me Covid-19 dhe njëra prej tyre, 73 vjeçarja nga fshati Llugaxhi e ka humbur betejën para një jave nga kjo sëmundje.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.