Kosova

Tërmkolli ka një propozim, nëse dështon koalicioni VV-LDK

Anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli, ka thënë se si opsion në rast të dështimit të marrëveshjes mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje do të ishte një qeveri gjithëpërfshirëse.

Tërmkolli ka thënë që ky opsion do të mund të ishte i përshtatshëm vetëm për një kohë të caktuar.

“Nuk mendoj që LDK-ja duhet të betonizohet. Një mundësi do të ishte një qeveri gjithëpërfshirëse për një periudhë të caktuar kohore”, tha ajo në Klan Kosova.

“Por, pas një viti sërish ne do të kemi telashe në kuptimin e përzgjedhjes së presidentit. Si variant mund të jetë kjo duke i pasë parasysh interesat e vendit”.

“Ndoshta qeveria gjithëpërfshirëse do të mund të ishte një zgjidhje kalimtare”, tha Tërmkolli.

Tërmkolli, ka akuzuar kryetarin e vetëvendosjes Albin Kurtin për sjellje joserioze ndaj LDK-së në këtë peridhë të negociatave për arritjen e koalicionit qeverisës.

Ajo tha se LDK-ja po kërkon poste të baraspeshuara me Vetëvendosjen pasi kanë dallim me vetëm një deputet.

“Takimet mes Vetëvendosjes dhe LDK-së që po përfundojnë pa rezultat nuk duhej të ishin kështu. Por duke qenë Vetëvendosja e para me një deputet më shumë i ka takuar të jetë “pronare”, por këtë rol s’e ka luajtur”.

“Vetëvendosja tërë kohën po përpiqet që të hedhë fajin ndoshta me pretendime që në zgjedhjet e ardhshme të fitojë më shumë. Të vërtetën po e shoshin qytetarët, mënyrën se si është qasur bisedimeve është tërësisht e papranueshme. Mënyra e qasjes ndaj LDK-së është denigruese dhe e papranueshme. Kjo parti e ka lënduar procesin e arritjes së marrëveshjes”, tha ajo.

“Albin Kurti është sjellë në mënyrën më des[potike të mundshme sikur e ka fituar mbi 50 për qind dhe sikur nuk e ka dertin se me kë duhet të bisedojë dhe me kë. Sjellja e Albin Kurtit është joserioze dhe me keqardhje them se ai s’ka ndryshuar se paku jo në këtë fazë të zhvillimeve”.

Tërmkolli ka thënë se posti i presidentit ka qenë një mundësi e kalueshme dhe institimi i LDK-së ka qenë që të ketë një baraspeshë të posteve.

“Kurti ka treguar që nuk është i gatshëm me udhëheqë qeverinë, s’është i gatshëm as të bashkëpunojë me askënd. Nuk është i gatshëm të perceptojë kërkesën që janë krejt normale nga një subjekt tjetër politik”.

“Këto gjëra e bëjnë të pandryshuar në kuptimin e asaj që e kërkon pushtet  absolut. Kjo nuk ndodhë as në Kosovë as në një vend  tjetër demokratik”.

Tërmkolli ka thënë se sipas asaj që ka ndodhur me negociatat para koalicionit edhe nëse arrihet ky është zor që mund të funksionojë.

“Vetëvendosja ka ardhur me kandidat për president Rexhep Qosjen  dhe ia ka hedhur fytyrës LDK-së. Kështu nuk mund të sillesh me një subjekt që pretendon të arrijë një marrëveshje. Pra edhe nëse arrihet marrëveshje vështirë se do të funksionojë. Nëse Kurti do një pushtet absolut është vështirë të funksionohet”, tha Tërmkolli.

Lini një Përgjigje

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.