INTERVISTA

Tërmkolli: Isa të tërhiqet, Luta e Agimi “kandidatura normale”, Sejdiu më i përgatituri

Melihate Termkolli është një prej aktivisteve më të vjetra të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express, Termkolli ka folur për problemet që e kanë përcjellë partinë e Isa Mustafës gjatë procesit të brendshëm zgjedhor. Ndërkohë sa i përket zgjedhjes së kryetarit, ajo përkrahë idenë e një ‘marrëveshje politike’. Për Isa Mustafën thotë se vetmja gjë korrekte që ai mund të bëjë është të heq dorë nga çdo pretendim për t’u rizgjedhur kryetar, duke thënë se ai s’ka qenë asnjëherë pjesë e konceptit politikë e kombëtar të LDK’së. Termkolli ka folur edhe për kandidaturat e mundshme të Agim Veliut, Lufti Hazirit e Vjosa Osmanit.

Gazeta Express: Si e keni parë procesin zgjedhor në LDK dhe cili është komenti juaj për konfliktet e shpeshta fizike nëpër degë e nëndegë?

Melihate Termkolli: Ka mundur të jetë një proces më i hapur, përplasjet e aty këtushme ishin pasojë e mbylljes së LDK-së për kohë të gjatë, mungesës së kontaktit me anëtarësinë dhe me qytetarë dhe ndodhën në një fazë të interesimit të shtuar për pjesëmarrje në proceset brenda LDK-së. 

Gazeta Express: A besoni se problemet e shumta nëpër nëndegë kanë qenë si rezultat i rivalitetit brenda LDK’së, apo janë shkaktuar nga një faktor i jashtëm siç potenconte kryetari Isa Mustafa?

Melihate Termkolli: Nuk përjashtohen edhe faktorë të jashtëm por problemet kryesore janë të lidhura me politikat e brendshme dhe organizimin strukturor. Kryetari i LDK-së dhe Kryesia nuk e menaxhuan si duhet procesin.

Gazeta Express: Lutfi Haziri që nga fillimi ka folur për një ‘marrëveshje politike’ për zgjedhjen e kryetarit të LDK’së. A besoni se një gjë e tillë është e mundur dhe e duhur?

Melihate Termkolli: Mendoj që po, sikur edhe zgjedhja me votë të fshehtë. Të dy opcionet janë të mundura dhe normale.

Gazeta Express: Meqenëse avktivizmi i juaj ne LDK është shume i gjatë. Kënd e shihni se njeriun e duhur që duhet të zgjidhet në krye të partisë , marrë parasysh edhe situatën politike (zgjedhjet e reja në prag) ?

Melihate Termkolli: Duhet të jetë personalitet me integritet të lartë politik e kombëtar dhe me rrënjë LDK.

Gazeta Express: Isa Mustafa nëpërmjet djalit të tij na e bëri me dije se është i interesuar edhe për një mandat. A është korrekte kjo?

Melihate Termkolli: Me respektin e madh për gjendjen e tij shëndetësore, e vetmja gjë korrekte do të ishte tërheqja nga ҁdo pretendim për kandidaturë të re për Kryetar të LDK-së. Në fakt, ai kurrë nuk ka qenë as është pjesë e konceptit politik e kombëtar të LDK-së, siҁ e kam thënë edhe para gati 10 viteve.

Gazeta Express: Si e shihni kandidaturën e Fatmir Sejdiu, çfarë gjasa ka edhe mendoni se mund ti bëjë mirë LDK’në ai nëse zgjidhet?

Melihate Termkolli: Mendoj që është personaliteti i duhur dhe më i përgatitur për këtë kohë dhe për rrethanat në të cilat gjendemi.

Gazeta Express: Dy kandidatura tjera më serioze janë ajo e Lutfi Hazirit dhe Agim Veliut. Të dy janë treguar të sukseshëm duke e nxjerrë fituese LDK’në në qytetet e tyre. Cili do të ishte sipas jush kandidat më serioz?

Melihate Termkolli: Të dy janë shumë të suksesshën në komunat që drejtojnë dhe me kontribute të mëdha për LDK-në dhe Kosovën në vazhdimësi por mendoj që LDK-së i duhet personalitet i nivelit nacional me potenciale për të drejtuar proceset politike në Kosovë sidomos në këto kohë të rënda në të cilat po kalojmë, më të rëndat në historinë e re të Kosovës.

Gazeta Express: Po ashtu ka ambicie dhe pritje edhe për Vjosa Osmanin edhe Abdullah Hotin si pjesë e “brezit të ri” të shumëpërfolur a mendoni që ka hapësirë për këta në këto zgjedhje?

Melihate Termkolli: Gjithsesi që ka hapësirë për Vjosën dhe për shumë të tjerë. Sa për “breza”, janë veҁ sajesa artificiale. Partitë dhe as shteti nuk funksionojnë me prerje në “breza” por me potenciale dhe kontribute të secilit.

Gazeta Express: Për kryetarin e ri sfida e parë do të jetë çështja e koalicionit, pra këtu është supozimi se vendi do të shkojë në zgjedhje shpejt ndërsa kryetari i ri i LDK;’së do të zgjidhet këtë javë. Nëse pas zgjedhjeve të përgjithshme vie puna që LDK’së prapë t’i kërkohet të hyjë në koalicion me PDK’në cili duhet të jetë qëndrimi?

Melihate Termkolli: Mendoj që ҁështja e parë e Kryetarit të ri të LDK-së dhe tërë lidershipit të saj është një program nacional për vendin, një “besëlidhje’ e re me qytetarët për t’i fituar zgjedhjet në funksion të ndryshimit rrënjësor të gjendjes në vend. Gjithsesi vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Është koha e Kosovës dhe LDK-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published.