EKONOMI

Tërhiqet nga konsultimi publik dokumenti që parasheh ndërtimin e “Kosovës së Re” deri më 2023

Moskonsultimi i ministres së Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, para se Plani Kombëtar i Veprimit për Efiçiencë të Energjisë 2019-2021, të dilte në konsultim publik ka bërë që ky dokument tërhiqet nga Platforma e Konsultimeve publike. Plani ka dalë në konsultim të mërkurën e kësaj jave dhe ishte paraparë të jetë i hapur për komente deri më 3 mars të këtij viti.

Gazeta të enjten ka shkruar për këtë dokument. Bazuar në këtë dokument, Termocentrali “Kosova A” do të çaktivizohej dhe zëvendësohej me Termocentralin “Kosova e Re” në periudhë 2020-2023. Nga partnerët qeverisës aktualë – LVV-ja e ka kundërshtuar ndërtimin e këtij Termocentrali, ndërsa LDK-ja ka thënë se nuk e përkrah marrëveshjen e Qeverisë së kaluar me kompaninë “Contour Global” për ndërtimin e tij, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Koha Ditore” të mërkurën ishte përpjekur të marrë përgjigje lidhur me këtë plan nga ministrja e Ekonomisë, Punës, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, por ajo nuk është përgjigjur. Njësoj ajo nuk është përgjigjur as pas tërheqjes së Planit nga konsultimi publik.

Por, një përgjigje të shkurtër lidhur me arsyen e tërheqjes e ka dhënë Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Efiçiencë të energjisë, Arsim Kuliqi. Sipas tij, dokumenti ishte lëshuar në konsultim publik pa miratimin e ministres Hajdari.