Kosova

Tentimi i Thaçit për pengim të Speciales shihet me shqetësim edhe në Prishtinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, edhe një herë ka provuar të ndikojë në punën e Gjykatës Speciale.

Në nëntor të vitit të kaluar, Thaçi i ka shkruar një letër Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.

Grupi KOHA ka siguruar përgjigjen e sekretarit Pompeo drejtuar Thaçit, në prag të 12-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Në këtë letër, ndër të tjerash, zyrtari i lartë amerikan ia ka renditur kreut të shtetit pasojat që do t’i vuante Kosova nëse pengon punën e Gjykatës Speciale.

“Puna e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar nuk ka për qëllim ndonjë etni, lëvizje, forcë ose njësi specifike. Sipas modelit, juridiksioni i Dhomave të Specializuara ishte i lidhur me kohën, gjeografinë dhe ngjarjet e përshkruara në “Raportin Marty”. Ne e vlerësuam angazhimin tuaj personal në marrjen përsipër të qeverisë që drejtuat më 2015. Me krijimin e Dhomave të Specializuara në formën dhe vendndodhjen e saj aktuale, drejtuesit e Kosovës pranuan me guxim dhe sinqeritet që një gjykatë e tillë kërkohej të jepte drejtësinë me besueshmëri, e lirë nga ndërhyrjet politike. Ata e kuptuan që sundimi i ligjit ishte dhe duhet të mbetet themeli i një Kosove të pavarur. Shtetet e Bashkuara presin që të gjithë liderët e Kosovës t’u përmbahen këtyre angazhimeve, si për qytetarët e tyre ashtu edhe për bashkësinë ndërkombëtare”, thuhet në letrën e Pompeos.

Në fund të përgjigjes me shkrim të sekretarit amerikan thuhet se shfuqizimi, dëmtimi i punës, struktura ose vendndodhja e Dhomave të Specializuara ose Zyrës së Prokurorit të Specializuar dëmtojnë seriozisht besueshmërinë e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.

“Mbështetje të plotë dhe bashkëpunim me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar nga drejtuesit dhe institucionet e Kosovës, mbesin pritjet e Qeverisë së SHBA-së. Shfuqizimi ose dëmtimi i punës, struktura ose vendndodhja e Dhomave të Specializuara ose Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në çfarëdo mënyre do ta dëmtonte seriozisht besueshmërinë ndërkombëtare dhe qëndrimin, duke i lënë këto pretendime si shenjë e përhershme mbi Kosovën, të vërë në dyshim angazhimin e Kosovës ndaj sundimit të ligjit, të mohojë drejtësinë për viktimat dhe mbështjell të ardhmen e Kosovës si anëtar i familjes euro-atlantike dhe komunitetit ndërkombëtar. Dhomat e Specializuara, operimi në formatin aktual, është mënyra më e mirë që Kosova ta mbyllë këtë kapitull në historinë e saj dhe ta sigurojë aftësinë e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për t’i kundërshtuar argumentet e kritikuesve të Kosovës dhe ta mbrojë integrimin e saj të mëtejshëm ndërkombëtar”, përmbyll Pompeo letrën e tij drejtuar Thaçit.

Aty përmenden edhe pretendimet që dalin nga raporti i Dick Martyt, bazuar në të cilin edhe u krijuan dhomat e specializuara për Kosovën.

Në këtë raport, Marty e lidh ish-drejtorin politik të UÇK-së, Thaçi, si pjesë e kryesues i një grupi kriminal nga Drenica.

Letrën e publikuar nga KOHA, e ka konfirmuar edhe presidenti Hashim Thaçi.

Më vonë gjatë së enjtes, pas gati katër muajsh prej kur është dërguar, është bërë publike edhe letra e kreut të shtetit drejtuar sekretarit amerikan.

Në këtë letër Thaçi ka shprehur shqetësimin për punën e bërë nga Specialja që nga marrja e mandatit dhe për hetimet vetëm kundër shqiptarëve.

“Me shumë keqardhje më duhet ta shpreh shqetësimin tim që mënyra në të cilën këto institucione gjegjëse vazhdojnë të operojnë është në kundërshtim direkt me atë që fillimisht ishte paraparë dhe ishim marrë vesh. Më lejoni ta përsëris se Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit Special të Kosovës, janë institucione të drejtësisë së Republikës së Kosovës dhe, marrë parasysh lokacionin gjeografik të tyre, ato mbesin pjesë integrale e sistemit vendor të drejtësisë kriminale që veprojnë në kuadër të hierarkisë vendore ligjore dhe kushtetuese. Kështu që mbetet çështje e qeverisë vendore që ta përcaktojë, në konsultim edhe koordinim të plotë me partnerët e saj ndërkombëtarë, mandatin, funksionimin dhe lokacionin gjeografik të institucionit të saj. Të kihet parasysh pra se Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit Special të Kosovës nuk janë organe të gjyqësisë ndërkombëtare”, thuhet ndër tjerash në letrën katërfaqëshe të Thaçit.

KOHA ka pyetur edhe dy institucionet për të cilat është diskutuar në letërkëmbimin mes Thaçit e Pompeos.

Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Dhomat e Specializuara, nuk kanë komentuar pretendimet e Thaçit e as komunikimin me sekretarin amerikan.

Derisa, shtojnë se pavarësisht zhvillimeve të jashtme janë të përqendruara në zbatimin e mandatit të tyre në përputhje me ligjin e ndryshimet kushtetuese.

“Kam lexuar artikullin dhe letrën që ju i referoheni sot në mëngjes. SPO është e përqendruar në zbatimin e mandatit të saj dhe nuk komenton çështje të tilla”, ka thënë Christopher Bennet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

“Ne nuk kemi asnjë koment në lidhje me zhvillimet politike. Dhomat e Specializuara të Kosovës janë plotësisht të përqendruara në zbatimin e mandatit të saj në përputhje me ligjin e miratuar për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe amandamentimin kushtetues, pavarësisht nga zhvillimet e jashtme”, thuhet nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Letërkëmbimin mes presidentit dhe sekretarit amerikan nuk kanë pranuar ta komentojnë as nga Ambasada amerikane e as Departamenti i Shtetit.

Por, ajo po shihet si shqetësuese nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike.

Me iniciativën e PDK-së dhe atë të disa prej partive tjera të koalicionit, më 2017 u tentua që përmes Kuvendit të shfuqizoheshin të gjitha ligjet që themeluan Gjykatën Speciale.

Pas presionit ndërkombëtar dhe kërcënimit, veçmas nga ShBA-ja, liderët shtetërorë, përfshirë Hashim Thaçin, ishin zmbrapsur nga ky tentim.

Javë më parë, Zyra e Prokurorit të Specializuar dërgoi në Gjykatë aktakuzën e parë, e cila nuk do të jetë publike deri në momentin që konfirmohet.

Shfaq më shumë

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

//benoopto.com/4/3473483