Kombëtare

Tensionet në veri, çka mund të ndodh në ditën e nëntë?

Deri në ditën e tetë të bllokadës në dy pikat kufitare në veriut e Kosovës, komuniteti ndërkombëtar ka vazhduar të bëjë thirrje për ulje të tensioneve.

Tensionet për këto ditë në veri të Kosovës janë rritur që nga 20 shtatori kur Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targat nga Serbia. Kjo masë po kundërshtohet nga qytetarët serbë, të cilët kanë bllokuar rrugët që çojnë për në pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak. Kosova ka vendosur njësitë speciale të policisë në afërsi të këtyre dy pikave, ndërsa Serbia ka shtuar praninë ushtarake në zonën kufitare.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të ulin tensionet dhe t’i kthehen dialogut.

Nga burimet diplomatike në Bruksel, REL mëson se këtë javë, në Bruksel mund të zhvillohet një takim mes shefave të ekipeve negociatore të Kosovës dhe Serbisë.

Liderët nga të dyja vendet edhe në ditën e tetë të tensioneve nuk kanë treguar shenja të tërheqjes nga retorika e tyre politike, ndërsa nuk dihet se çfarë do të ndodhë në ditën e nëntë.

Më herët kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se të dyja vendet duhet të heqin targat e përkohshme, ndërsa të hënën (27 shtator) pas një takimi me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, e ka arsyetuar prezencën e njësive speciale në vendkalimet kufitare.

“Njësia Speciale e Policisë së Kosovës nuk ndodhet aty për të demonstruar një forcë, por për t’i mbrojtur pikat kufitare dhe policët tanë kufitarë”, tha ai.

Në anën tjetër, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se Bashkimi Evropian, në këtë moment, “nuk po bën asgjë, ose po bën fare pak” në lidhje me situatën në Kosovë.

“Nuk kam asgjë të mirë për të thënë për sjelljen e Evropës, për sjelljen e BE-së. Unë mendoj se Marrëveshja e Brukselit është çështje e BE-së. Nënshkrimi i saj ndodhet në Marrëveshjen e Brukselit”, tha Bërnabiq për televizionin serb Pink.

Ndërkohë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nis të martën turneun në Ballkanin Perëndimor dhe më 29 shtator, ajo do të qëndrojë në Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi, ndërsa një ditë më vonë në Bosnje e Hercegovinë.

Të shtunën, më 25 shtator, dy incidente janë shënuar në dy komuna në veri të Kosovës. Në Zubin Potok është djegur Qendra për Regjistrimin e Automjeteve, ndërkaq në Zveçan është sulmuar Qendra e Regjistrimit Civil. Kosova ka fajësuar Serbinë se qëndron prapa këtyre dy incidenteve.

Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.