SHËNDETËSIA

Telashet e familjarëve të të prekurve me COVID-19

Ka vazhduar edhe këtë të premte bartja e pacientëve me COVID-19 nga Mjekësia Sportive në Intensiven Qendrore të QKUK-së.

Dy javë pas qëndrimit në Mjekësinë Sportive, Jeton Bushati nga Gjakova po pret që nëna e tij të transferohet për në mjekimin intensiv, pas vendimit të ShSKUK-së të një dite më parë, raporton KOHA.

Bushati i thotë se nëna e tij vazhdon të trajtohet me oksigjeno-terapi, por që gjendja e saj është përmirësuar.

E përveçse Bushatit edhe familjarëve të tjerë iu desh të qëndronin për dy javë para këtij objekti. Ai tregon se pothuajse çdo ditë duhet të blejnë ilaçe deri në 40 euro për nënën që po trajtohet nga COVID-19.

Spitali i Gjilanit gjithashtu këto ditë është duke u përballur me fluks të madh të pacientëve të prekur me Covid-19.

Nëse vazhdon një situatë e tillë, drejtori i spitalit thotë se ata do të kenë nevojë për stoqe më të mëdha me oksigjeno-terapi.

E në testimet e 24 orëve të fundit të IKShPK-së, 103 persona kanë rezultuar pozitivë. Ndërsa 6 persona të tjerë kanë vdekur, por që të njëjtit kanë pasur sëmundje shoqëruese.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, nga 504 pacientë që po trajtohen në QKUK dhe klinikat e saj, 12 janë të intubuar dhe 263 me oksigjeno-terapi.

Ndërsa në 6 spitalet rajonale trajtimin po e vazhdojnë 284 pacientë, ku 132 prej tyre janë të konfirmuar me Covid-19. Nga ta 130 po trajtohen me oksigjeno-terapi.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.