Abdixhiku: Programi i ri i LDK-së do të sjellë progres dhe zhvillim ekonomik

LDK ka vazhduar me ciklin e debatit dhe diskutimit me qytetarët anembanë vendit. Fushata “LDK ju dëgjon” vazhdoi në Prizren, ku Kryesia dhe kryetari Lumir Abdixhiku u takuan me struktura dhe qytetarë dhe diskutuan për programin e ri të LDK-së si dhe për situatën ekonomike dhe politike në vend.

Në diskutim me më shumë se 200 aktivistë dhe qytetarë, kryetari Abdixhiku diskutoi për gjendjen aktuale ekonomike dhe nevojën për zhvillim urgjent ekonomik të vendit në këtë kohë krize. Ai kritikoi Qeverinë për zero rezultate në çdo fushë. “Gjendja ekonomike është e padurueshme për shkak të mungesës së investimeve, mungesës së projekteve kapitale dhe paaftësisë së plotë të Qeverisë. Kemi rënie ekonomike dhe asnjë interesim të Qeverisë për të ndryshuar diçka në këtë drejtim. Inflacioni ka arritur në 20%, deficiti tregtar është rritur nga 3 në 5 miliardë euro dhe më shumë se 100.000 njerëz janë larguar nga vendi. Me vetëm 9% investime kapitale këtë vit, kurse Kosova do të përfundojë me rritjen më të ulët ekonomike në dekadën e fundit. Nuk ka më shpresë se kjo Qeveri mund të sjellë ndonjë ndryshim dhe fushata e tyre është zhgënjim i madh për qytetarët tanë.

Qeveri e paaftë dhe e papërgjegjshme, e cila është në gjendje vetëm të prodhojë kriza të reja”, tha kryetari Abdixhiku. Ai iu referua qasjes së re të LDK-së për të ndërtuar programin partiak dhe për të ofruar zgjidhje së bashku me qytetarët dhe strukturat e LDK-së. Kryetari Abdixhiku, tha se LDK-ja është në mision për të rikthyer shpresën në vend dhe për të siguruar stabilitet. Ai tha se mbështetja partiake po rritet nga dita në ditë dhe se LDK-ja duhet të vazhdojë të dëgjojë aktivisht qytetarët dhe t’u përgjigjet nevojave të tyre. “LDK ka qasje, energji dhe strategji të re. Jemi në një mision unifikues për të rikthyer shpresën në vend. Kosova ka nevojë për stabilitet, prosperitet dhe zhvillim ekonomik. Qytetarët tanë kërkojnë zgjidhje për problemet e tyre. LDK po ndërton program me një ekip të jashtëzakonshëm dhe po ofron një platformë që do ta çojë Kosovën në rrugën e progresit dhe zhvillimit ekonomik afatgjatë. Partia jonë po rritet në sondazhe, njerëzit e njohin vullnetin dhe energjinë e re dhe po e mbështesin këtë, ne duhet të vazhdojmë të punojmë më shumë”, deklaroi kryetari Abdixhiku.

Ai theksoi se LDK-ja duhet të qëndrojë pranë qytetarëve duke qenë zëri i vërtetë i atyre që kanë nevojë, për të luftuar padrejtësinë dhe për të ngritur zërin kundër Qeverisë e cila nuk funksionon në interes të qytetarëve. “Duhet të jemi më afër me njerëzit, qytetarët tanë. Kjo është ajo që pritet nga LDK-ja, kjo është ajo që duhet të bëjmë.

Ne duhet të jemi zëri i tyre, zë për çdo qytetar e për çdo familje. Do të kuptojmë problemet e tyre reale të përditshme dhe do të ofrojmë zgjidhje. Qasja e qeverisjes së përgjegjshme, lidershipit efektiv dhe unifikimit të vendit; kjo është ajo që përfaqëson LDK-ja dhe ky është mesazhi që duhet të ndajmë të gjithë ne”, ka përfunduar kryetari Abdixhiku.

Go to TOP