OPINION

Të shkarkohet dhe të kërkojë falje publike për gjuhën linçuese, z. Almir Veliji, këshilltar i Kryeministrit Hoti

Shkruan: Sarë Gjergji

Se në të gjitha instancat dhe nivelet e institucioneve shtetërore të Kosovës, gjenden aq shumë njerëz jo meritorë, që Kosovën e katandisën si mos më keq – për t’iu dhimbur drurit e gurit-  e dëshmoi edhe Almir Veliji, këshilltari i Kryeministrit Avdullah Hoti.

I njëjti, PARTINË SHQIPTARE DEMOKRISTIANE e quajti, “KATOLICKA PARTIJA”.

Ngjyra fetare (me kuptim pezhorativ) që i jep Almiri PSHDK-së, është një shembull i keq i një zyrtari dhe këshilltari shumë të keq e me prirje anadollake-sllave; është fyerje dhe atakim dhe cenim i drejtpërdrejt i qytetërimit dhe kulturës mijëravjeçare shqiptare; është atakim dhe cenim i drejtpërdrejt i vlerave demokratike mbi të cilat është ndërtuar Republika e Kosovës.

Imagjinoni tash, çifti i këtij tipi ta këshillojë Kryeministrin e Kosovës, e mandej ky i fundit të ulet me diplomacinë ndërkombëtare e të bisedojë për  integrimin e Kosovës… 

Pa asnjë dyshim,  z. Hoti, Ju si Kryeministër i Republikës së Kosovës, e dini fare mirë se njerëz me gjuhën dhe mentalitetin linçues si të Almir Velijit, nuk Ju bëjnë nder as Juve e as institucioneve të Republikës sonë. Hë për hë, si qytetar i këtij vendi dhe si anëtar i Kryesisë së PSHDK-së, iu bëj thirrje që Almir Velijin ta shkarkoni nga detyra e këshilltarit.

Një këshilltar që fyen e linçon qytetarët e Republikës së Kosovës, është i padenjë dhe e padrejtë ta këshillojë Kryeministrin e vendit tim.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483