Bota

OKB: Të paktën 18 persona janë vrarë në protestat në Mianmar

Të paktën 18 persona janë vrarë të dielën në Mianmar, ku po mbahen protesta kundër puçit ushtarak. Kështu tha zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.

“Përgjatë ditës, në disa lokacione në mbarë vendin, policia dhe forcat ushtarake kanë konfrontuar protestuesit paqësorë, duke përdorur forcë vdekjeprurëse dhe forcë më pak vdekjeprurëse, thuhet në informacionet e besueshme që ka marrë Zyra për të Drejtat e Njeriut e OKB-së. Të paktën 18 persona kanë vdekur dhe mbi 30 janë lënduar”, tha kjo zyre.

Në Mianmar – që ndryshe njihet edhe si Birmani – që prej puçit ushtarak të 1 shkurtit, qindra-mijëra persona kanë dalë në protesta për ta kundërshtuar marrjen e pushtetit nga ushtria.

Ushtria pretendon se ka pasur mashtrime në zgjedhjet e nëntorit të kaluar, ku ka shënuar fitore bindëse partia e lideres de fakto të këtij shteti, Aung San Suu Kyi.

Suu Kyi, së bashku me udhëheqësin e partisë së saj, u arrestuan më 1 shkurt.

Puçi ushtarak ka ndërprerë përpjekjet drejt demokracisë të Mianmarit, që ka qenë nën sundimin ushtarak për 50 vjet.