Bota

Të paktën 14 persona vriten nga dy shpërthimet në Afganistan

Të paktën 14 njerëz u vranë sot në një shpërthim me dy bomba në qytetin Bamiyan në Afganistan, i cili konsiderohet më pak i rrezikshmi në vend, thanë zyrtarët.

“Katërmbëdhjetë njerëz u vranë dhe 45 u plagosën në shpërthimin” e dy bombave, tha Zabardast Safi, shefi i policisë Bamiyan, raporton France Presse, duke shtuar se 13 civilë dhe një roje trafiku ishin midis viktimave.

Zëdhënësi i policisë, Reza Josufi shtoi se bombat ishin vendosur në dy vende të ndryshme. Tarek Arijan, një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme, konfirmoi shifrat.

Provinca Bamiyan, e njohur për dy statuja gjigante të Budës të shkatërruara nga Talibanët në 2001, konsiderohet më pak e rrezikshmja dhe më pak konservatore në vend. Ndryshe, ky rajon malor vizitohet nga turistë të huaj dhe pret gara të skijimit.