KULTURË

Të mëdhenjtë e kombit

“Me pranue me heshtjen t’onë nji cilsim të tillë qi nuk i përgjigjet së vërtetës, mue m’asht duke se bajmë krim kundra vetvetes, kundra historis e kundra fmijëve e njerzve tanë, qi do të mbeteshin me kryeultë për breza të tanë para shoqnisë… me i lane historishkruesit të së nesërmes nji dokument qi t’a kenë të gjithë shqiptarët për studim.” – Kol Bib Mirakaj

Shkruan: Tomë MRIJAJ

Zanafilla e një shkrimi

Me ardhjen time në New York, në fillim të vitit 1978, pas pak muajsh mua dhe bashkëshorten time, na ftoi për një vizitë në shtëpinë e saj Lula, vajza e patriotit të shquar ish Ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, atdhetari i pamposhtur antikomunist Kolë Bibë Mirakaj.

Lula me familjen e saj, jetonte në një lagje të qytetit të madh Brooklyn, së bashku me fëmijët: Nikolla, Donika dhe Matilda.

Ne u impresiunuam shumë qysh në hyrje të banesës së tyre. Deri në ato ditë, nuk kisha parë asnjëherë një atdhedashuri të madhe, që kjo familje ruante për vendindjen dhe trojet etnike shqiptare.

Në dhomat e tyre ishte pasqyruar dukshëm Shqipëria në miniaturë. Në muret e dhomës mikpritëse ishin të varura portretet e shumë figurave të shquar të historisë së popullit shqiptar, simbolet kombëtare, lahuta, çiftelia, plisi i bardhë, flamuri kuq e zi pa yllin komunist, librat e shumta në gjuhën shqipe, ku, mbi të gjitha ishin të ekzpozuara kryeveprat e identitetit tonë kombëtar, si: “Lahuta e Malcisë” e shkruar nga poeti kombëtar atë Gjergj Fishtës O.F.M., “Kanuni i Lek Dukagjinit” (Botimi i Parë, i vitit 1933, me parathënie brilante, të shkruar nga patrioti i shquar atë Gjergj Fishtës), hartuar nga intelektuali dhe patrioti i madh i kombit tonë atë Shtjefen Gjeçovi O.F.M. etj., koleksioni i plotë i revistës fetaro kulturore “Jeta Katholike Shqiptare” (1966), themeluar dhe drejtuar nga shkrimtari, studiuesi dhe publiçisti i palodhur i komunitetit tonë, meshtari dhe prelati i kishës së parë katolike shqiptare “Zoja e Këshllit t’Mirë” (sot “Zoja e Shkodrës”) në SHBA, i paharruari mons dr. Zef Oroshi (1912-1989) etj.

Mbas një mikpritje bujare tradicionale, zhvilluam një bisedë të ngrohtë dhe miqësore, duke rrokur tema të ndryshme, ku, më e rëndsishmja ishte ajo për vendlindjen, masakrimet dhe internimet e shumta, që po pësonin njerëzit e pafajshëm nën sundimin e rregjimit të egër komunist në Shqipëri, si dhe kalvarin e vuajtjeve dhe internimeve, që kishin pësuar disa nga antarët e familjes Mirakaj, që nuk kishin mundur të arratiseshin nga ferri burg komunist i diktatorit Enver Hoxha.

Në një moment qetësie e pyes Lulën, se a ka lënë diçka të shkruar babai juaj Kola? Ajo menjëherë mu përgjigj në mënyrë pozitive, shkurt dhe prerë, se babai i saj i kishte lënë disa dorëshkrime, të cilat i ruanin si relike të çmuara, sepse kanë vlera historike.

Lula u ngrit ngadalë nga sofra e shtruar, dhe na u drejtua me fjalët: Ju lutem prisni pak, se po vij shpejt. Ajo hyri në një dhomë të shtëpisë dhe pas disa minutash doli me një libër në dorëshkrim, të cilën na e tregoi, duke thënë, se ky që po shihni tani është një dorëshkrim të cilin babai e ka shkruar me kujdes me makinë shkrimi.

U afrova me kujdes dhe lexova menjëherë titullin e librit të pabotuar, që kishte një titull shumë interesant: “Vetëvrasja e një kombi”.

Unë i kërkova Lules, që ta hapte pak librin e mbështjellë me kujdes me një mbulesë plasmasi, që të shikoja disa fjalë nga dorëshkrimi, por ajo tha se e kishte amanet nga babai i saj Kolë Bibë Mirakaj, që askush të mos e hapte deri sa libri në dorëshkrim të botohej, pas rrëzimit të komunizmit në Shqipëri…

Dhe ashtu ndodhi! Lula dhe familja e saj e mbajti amanetin e babait të tyre.

Pas disa ditëve, me makinë së bashku me prelatin mons. dr. Zef Oroshin shkuam për të bërë një vizitë miqësore tek shtëpia e Kapidanit të Mirditës juristit Ndue Gjomarku.

Ai mbasi na priti me një buzëqeshje dhe na ftoi që të hyjmë brenda, në bisedë e sipër, ndër të tjera Kapidani më pyeti: “Tomë, a ka ndonji gja të re këto ditë!?

Unë i thashë se isha për një vizitë pak ditë më parë tek shtëpia e Lulës, vajzës së Kolë Bibë Mirakaj. Aty më bëri përshtypje titulli i një libri në dorëshkrim me titull interesant: “Vetëvrasja e një kombi”.

Kapidani Ndue, më shikoj drejt në sy dhe më tha: “Kol Bib Mirakaj, ka ken nji nacionalist i vendosun e i ka luftue gjithnji padrejtsitë e kohes dhe të njerzve.”

Kjo bisedë e re, bëri që edhe meshtari ynë mons. dr. Zef Oroshi, të shpreh mendimet dhe përjetimet e tij për figurën e madhe të Kolë Bibë Mirakajt.

Ndër të tjera dr. Oroshi tha, se: “Kola ka ken nji njeri i ditun, njeri i zgjuet e i besës, fjal pak e punë shum, nji pend dhe mendje e mpreht, orator dhe nji atdhedashës i zjarrtë. Ai e urrente komunizmin dhe servilat e tij, që shetisnin lirshem si informator në emigracionin e Italisë dhe SHBA-së.”

Në fund të bisedës dhe para se të largohemi nga shtëpia e tij, Kapidani Ndue Gjomarku, më dha si kujtim fletoren apo të përkohshmen: “L’ALBANIE LIBRE”, që dikur ishte organi i Blokut Kombtar Indipendent.

Ai shtoi se në këtë buletin mund të gjeni shumë informacione, shkrime të Kolë Bibë Mirakajt.

Kolë Bibë Mirakaj dhe Vetëvrasja e një kombi

Kam menduar dhe gjithnjë mendoj, se të mëdhenjtë e kombit, nuk mund të jenë kurrë trathtarë të kombit, cilatdo qofshin idealet e atyre, kur ata janë konseguentë dhe të qëndrueshëm në ato ide atdhetare, të cilave ua kushtuan gjithë jetën realizimit të tyre.

 Për më tepër, këto ide i udhëheqin si programe dhe qëllimi i vetëm i jetës së tyre, mbetet gjithnjë e mira e përbashkët e kombit, popullit dhe e prosperitetit të tij.

Këta idealistë përparimtarë, përbëjnë elitën cilësore të kombit dhe mund të quhen me të drejtë personalitete të shquar të kombit tonë.

Në këtë grup njerëzish të mëdhenj të kombit tonë, bën pjesë edhe Kolë Bibë Mirakaj, i cili, me të drejtë asokohe dhe sot, zë një vend nderi të merituar në historinë e lavdishme të kombit shqiptar.

Në të gjithë ngjarjet plot tallaze, me humbje dhe fitore të zhvilluara gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj deri sa ndërroi jetë Kolë Bibë Mirakaj ishte një ndër protogonistët më të mëdhenj të atyre vitëve plot ngjarje, që u zhvilluan jo vetëm në vendlindjen tonë gjatë viteve 1939-1944, por edhe jashtë Atdheut deri në emigracionin e largët në Europë dhe SHBA.

Sikurse të gjithë nacionalistët e shquar pararendës, që bënë emër shumë të madh në trojet shqiptare, ideali i tij kryesor ishte bashkimi i të gjithë forcave politike atdhedashëse në një front të vetëm, kundër rrezikut komunist.

Kjo për faktin e vërtetë historik, se ish Ministri i Brendshëm Kolë Bibë Mirakaj e njihte shumë mirë natyrën e rregjimit diktatorial komunist stalinist në Bashkimin Sovjetik (B.S.), ku, gjithnjë të drejtat dhe liritë e njeriut shtypeshin sistematikisht me gjak dhe hekur, ku, popujt e federatës ruse vriteshin, persekutohershin, internoheshin, pushkatoheshin, me gjyq fallco dhe pa gjyq, ashtu sikurse edhe qindra vjet më pare, kur shtypeshin dhe keqtrajtoheshin njerëzit në epokën e lashtë të skllavërisë së plotë.

Ai e shihte të pamundur shpëtimin e Shqipërisë nën kthetrat e komunizmit të zi.

Kjo ishte një katastrofë e tmerrshme komuniste, sikurse e quante ai, sepse e njihte shumë mire tragjedinë që do të pësonte në të ardhmen vendi i shqiponjave dhe populli ynë, nën rregjimin totalitar atesit komunist.

Ngjarjet, që po zhvilloheshin me shpejtësi në arenen ndërkombëtare, për fat të keq nuk e favorizonin Shqipërinë e mjerë dhe popullin e saj.

Kështu në Konferencën e Jaltës, Shqipëria ishte lënë padrejtësisht në zonën e influencës komuniste.

Dhe për këtë gjë Kola, falë vizionit që kishte mendonte dhe shpresonte, se vetëm me bashkimin e partive antikomuniste, në një bllok të vetëm do të behej e pamundur ardhja në pushtet e partisë komuniste.

 Nëse ne e marrim seriozisht dhe mobilizohemi, për të bërë gjithçka për Atdheun tonë, atëherë mund të vij në pushtet blloku i partive nacionaliste përparimtare, që me programe përëndimroe ishin kundër diktaturës komuniste dhe shtypjes së lirive dhe të drejtave të njeriut.

Kola, shpresonte shumë tek partitë dhe organizatat nacionaliste, për një Shqipëri të lirë dhe dmeokratikë. Këtë mission të rëndësishëm historic. mund ta realizojnë vetëm: Partia e Legalitetit, Socialdemokratët e Mysine Kokalarit, Partia e Ballit Kombëtar, Blloku Indipendent, si dhe të gjithë forcat e tjera nacionaliste, që ishin kundër diktaturës dhe shtypjes së të drejtave dhe të lirive të njeriut, me të cilat populli shqiptar do t’i shpëtonte diktaturës komuniste.

 Për fat të keq, Shqipëria kishte rënë viktimë e partisë komuniste, që drejtohej nga një grup njerëzitsh aventurier me histori kriminale, ku, qëllimi i vetëm i se cilës ishte lufta e tyre për marrjen e mbajtjen e pushtetit me çdo kusht e mënyrë dhe jo lufta kundër pushuesve te huaj nazi-fashistë asokohe.

Tashmë, është e qartë si drita e diellit, se ideja e këtij bashkimi, sikur të ishte realizuar në atë kohë do të ishte shpëtimi i kombit shqiptar, ide dhe dëshirë, për të cilën Kolë Bibë Mirakaj shkriu gjithë jetën e tij.

Dhe për këtë tragjedi fatkeqe, të mbarë kombit si në Shqipëri dhe Kosovës, Kolë Bibë Mirakaj e drejtoi gishtin me të drejtë në udhëheqësinë e Ballit Kombëtar, të cilët  e refuzuan këtë bashkim sistemaitkisht si brenda vendit ashtu dhe në emigracion me pretekstin se nuk pranojnë bashkëpunim me “bashkëpunëtorët” e fashizmit, ndersa një pjesë e tyre u munduan të mohojnë bashkëpunimin asokohe me gjermanët.

Dihet nga të gjithë, se në Shkodër komanda gjermane e Gestapos dhe komanda e Ballit Kombëtar ndodheshin më pak se 100 metra larg njera tjetrës. E para ndodhej tek Konsulata Italiane dhe e dyta tek Bashkia e qytetit.

Dihet, gjithashtu se Balli Kombëtar pranoi të bashkëpunonte me Partinë Komuniste armikun më të madh të popullit shqiptar, por këto të fundit se pranuan bashkëpunimin, sepse jugosllavët: Dushan Mugosha dhe Vladimir Stoiniq donin që pushtetin ta merrte vetëm Partia Komuniste e diktatorit Enver Hoxha.

Komunistët serbo malazezë, që drejtonin de facto Partinë Komuniste të Shqipërisë qysh nga viti 1941, për më tepër nuk donin t’a ndanin pushtetin me asnjë forcë tjetër rivale politike, sepse vetëm me partinë komuniste ata (serbo malazezët), mund ta shtinin në dorë më vonë jo vetëm Kosovën por edhe Shqipërinë, me parudhën e vllazërimit: Bashkim – Vllazërim.

Nga sa na mëson nëna histori, mësojmë se Balli Kombëtar u bë kështu përçarësi i forcave politike, në unison me Partinë Komuniste, sepse edhe ata ëndrronin pushtetin e plotë për vete.

Së fundi, brenda Ballit Kombëtar, fatkeqsisht vazhdoi pandërprerje proçesi i përçarjes së vetë kësaj organizate, duke u ndarë në 5-6 parti të vogla të papërfillshme, që s’vonuan shumë dhe u shkrinë si kripa në ujë.

Ky ishte fundi i pashmangshëm i Ballit Kombëtar, një fund i dështimit të plotë dhe turpshëm, politika e të cilit i kushtoi aq shtrenjtë popullit martir shqiptar.

Në këtë shkrim e vura theksin kryesor vetëm në një aspekt të veprimtarisë së Kolë Bibë Mirakaj: aspektin e luftës për bashkimin kombëtar dhe për shpëtimin nga diktatura komuniste.

E kush luftoi më shumë komunizmin se sa Bloku Indipendent, që Balli e quante organizatë fashiste kundër komunizmit!?

Qeta e Shpagimit” dhe “Komiteti i Maleve” e vazhduan luftën deri në vitin 1953, pra 9 vjet pas ardhjes në pushtet të rregjimit komunist. Ata e dëshmuan me gjakun dhe jetën e tyre martire urretjen ndaj komunizmit si asnjë krahinë tjetër.

Ja pse mosrealizimi i idealit të Bllokut Indipendent, për bashkim kombetar në luftë pakompromis kundër komunistëve (që udhëheqej nga Gjomarkajt), solli deshtimin e këtyre perpjekjeve dhe humbjen e luftës me stalinistët komunistë.

Regjimi komunist u instalua dhe dihet se çfarë pësoi populli shqiptar në atë regjim për afro 50 vjet.

Pra, u arrit ajo që Kolë Bibë Mirakaj i ruhej dhe druhej më shumë: Vetëvrasja e një kombi.

 Sw fundi, del argumenti, se patrioti i shquar Kolë Bibë Mirakaj, ishte eksponenti kryesor i idealeve të zjarrta të bashkimit të kombit shqiptar, pa dallim feje dhe krahine, në luftë frontale, të papajtueshme kundër ideologjisë komuniste, që po shkatërronte trojet e Arbërisë.  

Leave a Reply

Your email address will not be published.