OPINION

Të bashkohemi në betejën politike për shtetin e Kosovës!

Shkruan: Florim ZEQA
Vizitën treditore të emisarit të posaçëm të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak në Kosovë duhet kuptuar si një tërheqje e vërejtjes dhe mesazh për qeverinë në ardhje për vënien e dialogut Kosovë-Serbi si prioritetin numër 1, ashtu siç është në agjendën e BE-së dhe ShBA-ve, për shkak se përmbyllja e dialogut me Serbinë i hapë rrugë zhvillimit ekonomik dhe shtigje të mëdha shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Dialogu i pa alternativë

Vizitën e Lajçakut në Kosovë dhe rajon nuk duhet kuptuar si kërcënim, por si mesazh dhe vetëdijesim të politikanëve kosovar, se dialogu është i pa alternativë dhe i pashmangshëm dhe se agjendat dhe politikën ndërkombëtare e diktojnë ata që e bënë Kosovën shtet dhe jo ne dhe as Serbia.

Edhe përkundër deklarimeve të kryeministrit në ardhje, z. Albin Kurti, se dialogu do të jetë prioriteti numër 4 i qeverisë së tij, vizita e Lajçakut në Kosovë dhe rajon e thotë të kundërtën. Pas formimit të qeverisë së re, Kosova nuk do të mund t’i ikë dialogut, por do ta ketë numër 1 në agjendën e politikës shtetërore.

Deklarimet e kryeministrit në ardhje, Albin Kurtit për dialogun si prioritet të katërt në qeverisjen e tij nuk janë mirëpritur në kancelaritë e Brukselit, sikurse nuk janë mirëpritur në ShBA deklaratat e tij për shqyrtim të vendosjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

Guximi i tepruar i Albin Kurtit

Deklaratat e pamatura të Albin Kurtit rreth dialogut me Serbinë mund t’i kushtojnë me rënie të serishme të qeverisë, por dëmi që do t’i shkaktonte popullit të Kosovës mund të jetë shumëfish më i madh se kaq!

Ndërkaq hezitimet e Kurtit për vendosjen e ambasadës në Jerusalem, mund të na kushtojnë me tërheqje të njohjes nga Izraeli dhe jo vetëm kaq! Mund t’na i dëmtojë marrëdhëniet e shkëlqyera me sponsorizuesin e shtetit të Kosovës dhe të kësaj njohje në veçanti-ShBA-në, pa të cilën as që paramendohet rrugëtimi ynë si shtet i pavarur dhe sovran.

Fundja, se në cilin qytet apo lokacion duhet ta vendosim ambasadën i përket shtetit që na ka njohtë e jo ne! Ne duhet t’i jemi mirënjohës dhe ta respektojmë vullnetin e shtetit mik.

Ideja e Kurtit, “unë jam kryeministër dhe bëjë çfarë të dua” i takon një mentaliteti të kaluar. Atë çfarë e thotë Albin Kurti ende pa u ngritur në fronin e pushtetit, nuk e ka guximin ta thotë asnjë kryeministër i shteteve të rajonit, madje as i vendeve më të zhvilluara të Bashkimit Evropian.

Rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit, gjegjësisht legjitimiteti që ka marrë nga qytetarët e vendit, e ngarkon Albin Kurtin me përgjegjësi të lartë shtetërore për vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe zgjidhjen e problemeve të shumta.

Megjithatë, pavarësisht rezultatit zgjedhor, përveç pozitës, në procesin e dialogut me Serbinë duhet të përfshihet edhe opozita parlamentare bashkë me subjektet tjera jashtë skenës parlamentare, përfshirë pakicat etnike në Kosovë dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Të mos përsëriten gabimet e së kaluarës

Gabimet që i ka bërë Albin Kurti në të kaluarën si opozitar me mosbashkëngjitje në procesin e dialogut me Serbinë, nuk guxon t’i përsërisë nga pozita e kryeministrit duke e injoruar opozitën shqiptare.

Bashkërendimi i veprimeve politike pozitë-opozitë përveçse do ta inkurajonte Albin Kurtin, do ta forconte pozicionin e Kosovës në dialog me Serbinë. 

Në anën tjetër, as opozita nuk guxon ta lë vetëm, por duhet t’i bashkëngjitet Albin Kurtit në përmbylljen e dialogut me Serbinë.

Për shkak të seriozitetit dhe ndjeshmërisë së dialogut, më shumë se asnjëherë më parë është i nevojshëm konsensusi mes forcave politike shqiptare.

Për arsye se, pa konsensus mes forcave politike shqiptare, nuk mund të ketë zgjedhje të presidentit dhe as ratifikim të marrëveshjes përfundimtare me Serbinë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Bashkëpunimi me opozitën i pashmangshëm për Albin Kurtin

Edhe përkundër rezultatit të lartë zgjedhor, për sigurimin e 2/3-ve në kuvend, Albin Kurtit patjetër i duhet bashkëpunimi me forcat politike shqiptare.

Nëse bëhemi të gjithë bashkë në dialog me Serbinë nuk kemi arsye t’i frikohemi lajçakëve, borrelëve dhe as grenellëve, pasi fati i veriut të vendit dhe integritetit të shtetit mbetet përsëri në dorën tonë, gjegjësisht në dorën e deputetëve shqiptar, ku pa 2/3 (dy të tretat) e votave të tyre nuk mund të votohet asnjë marrëveshje cila do qoftë ajo për vendin tonë.

Bashkërendimi i forcave tona politike në përballje me Serbinë do ta bënte krejtësisht të paarsyeshme frikën nga dialogu, në të kundërtën, lajçakët, borrelët dhe grenellët do t’na shndërrohen në fobi të pashërueshme.

Dhënja e postit të presidentit njërës prej partive opozitare është pothuajse e pashmangshme për sigurimin e stabilitetit politik si dhe për evitimin e zgjedhjeve të radhës.

Heqja dorë e Vjosa Osmanit nga posti i presidentit për të mirën e shtetit do të ishte veprimi më i mençur dhe më pragmatik, më i guximshëm dhe më patriotik. Në të kundërtën, shkuarja e serishme e vendit në zgjedhje për shkakun e saj, do t’i shkaktonte dëm të madh buxhetit të shtetit si dhe do ta rëndonte edhe më tejë jetën e qytetarëve të Kosovës.

Asnjë post politik nuk krahasohet me interesin e shtetit dhe jetën e qytetarëve!