Bota

Talibani rrezik për sigurinë globale, gjenerali: Mund të mobilizohen grupe ekstremiste nga Evropa e Amerika

Një gjeneral afgan ka paralajmëruar se ofensiva e Talibanit në Afganistan mund të ketë pasoja më të gjera që cenojnë edhe sigurinë e botës. Rreth 1 mijë civilë kanë mbetur të vrarë prej ofensivës që nisi në maj kur shumë nga ushtarët e huaj u vendos të linin vendin ku luftuan për gati 20 vite.

Lufta në Afganistan mes forcave qeveritare dhe militantëve të Talibanit po përshkallëzon dhe po rrezikon sigurinë globale.

Paralajmërimin e dha të martën një nga gjeneralët afganë që po udhëheq betejën për territore në provincën jugore të Helmandit.

Shumica e qytetit të Lashkar-Gahut ka rënë në duart e talibanëve, zhvillim që u arrit një ditë më parë me të paktën 40 të vrarë ndërsa rrugëve të vendit po shtohen kufomat e civilëve.

Militantët kanë avancuar mjaft në muajt e fundit që kur forcat amerikane shpallën tërheqjen prej vendit pas gati 20 vitesh instalim.

Presidenti afgan, Ashraf Gani, thotë se situata aktuale është përkeqësuar pikërisht nga tërheqja e papritur e trupave të huaja.

“I kam thënë presidentit të Amerikës se e respektoj vendimin e tij, por e dija se pasojat dhe përgjegjësia për menaxhimin e këtij rreziku do të binte te populli afgan. Talibanët nuk janë më si 24 vite më parë: ata po na luftojnë më intensivisht, më pa mëshirë, me agresivitet.”

Amerika vijon të mbështetë forcat afgane në operacionet ndaj kundërshtarëve, por ka sqaruar se i mbetet vetë popullit të vendosë të ardhmen.

Entoni Blinken, Sekretari amerikan i Shtetit, deklaroi se SHBA-ja do i ndihmojë personat që i kanë shërbyer asaj në Afganistan, raporton oranews.

“Kemi përgjegjësi të veçantë për afganët dhe familjet e atyre që punuan me SHBA-në ose me Forcën e Sigurisë Ndërkombëtare, që prej 2001-tës, dhe tani janë përballë frikës akute të persekutimit ose hakmarrjes, e cila me gjasë do të rritet teksa koalicioni lë vendin”.

Autoritetet afgane thonë se talibanët janë më të fortë këtë radhë pasi po marrin përforcime nga grupet e tjera islamike, të cilat në masë më të vogël mund edhe të mobilizojnë ekstremistë nga Amerika dhe Europa.

Ofensiva e fundit e Talibanit ka lënë gati 1 mijë civilë të vrarë.