EKONOMI

Taksa prej 145 eurosh për blerje të veturës së vjetër po kundërshtohet nga qytetarët

Deri një vit më parë, secili person që ka blerë veturë, e ka trashëguar sigurimin për periudhën e mbetur të parapaguesit si dhe taksat komunale e ato rrugore dhe kontrollin teknik.

Krejt çka është dashur të bëjë blerësi i veturës ishte bartja e pronësisë pas shit- blerjes si dhe pagesa për ndërrimin e librezës, raporton KTV.

Por, tani situata qëndron krejt ndryshe, pasi që nga qershori i vitit të kaluar, Ligji për Automjete ka pësuar ndryshime.

Ligji parasheh që pronari i cili e blen veturën qoftë edhe nëse ajo veturë ka regjistrim edhe një vit, obligohet që sërish pranë qendrës së regjistrimit ta çlajmërojë atë, duke i kthyer edhe targat.

Pastaj blerësi duhet të aplikojë për regjistrim të ri në të cilin përfshihen të gjitha këto pagesa, që e dëmtojnë blerësin e veturës në vlerë prej 145 eurosh.

Ndërsa për automjete të mëdha mbi 3.5 ton si kamion, autobus etj. pagesa është 240 euro.

Qytetarët nuk po pajtohen assesi me këtë ndryshim.

Në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve thonë se vetëm po e zbatojnë ligjin, i cili është i sponsorizuar nga Ministria e Infrastrukturës.

Sipas drejtorit të departamentit të regjistrimit, Xhavit Gubetini, përmes këtij ligji, siguria e automjeteve është shumë më e madhe.

Ndërkaq përfaqësues të Shoqatës së Sigurimeve nuk kanë dashur të flasin para kamerës, por kanë thënë se nuk e dinë qëllimin e ndryshimit të këtij ligji.

Sipas tyre, përveç që rriten të hyrat në buxhetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, kompanitë e sigurimeve nuk përfitojnë asgjë, por vetëm u shkaktohen më shumë telashe.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483