EKONOMI

Taksa ndaj mallrave serbe me ndikim minimal në shkëmbimet tregtare Kosovë – Shqipëri

Taksa prej 100 për qind e vendosur ndaj mallrave serbe dhe atyre të Bosnjë -Hercegovinës ka pasur ndikim minimal në rritjen e shkëmbimeve tregtare në mes Kosovës e Shqipërisë. Këtë e tregon rritja e papërfillshme e këtyre shkëmbimeve për vitin 2019, që kapin vlerën e 16.3 milionë eurove, krahasuar me vitin 2018, vit në të cilën taksa ishte vendosur vetëm për 40 ditët e fundit të atij viti.

Vlera totale e shkëmbimeve të mallrave gjatë gjithë vitit 2019 mes Shqipërisë e Kosovës arriti në rreth 38 miliardë lekë apo rreth 314 milionë euro, ku sërish peshën më të madhe e zënë eksportet e Shqipërisë në Kosovë. Shkëmbimet tregtare me Kosovën gjatë muajit janar kanë arritur në vlerën e 2 miliardë lekëve, apo 16.5 milionë eurove, me një rritje prej 5.3 milionë eurosh krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Referuar të dhënave të tregtisë së jashtme, të publikuara nga Instituti i Statistikave, pjesën më të madhe e zënë eksportet e produkteve shqiptare drejt Kosovës me vlerë rreth 1.6 miliardë lekë (13 milionë euro), ndërsa importet nga Kosova janë më pak se gjysma e tyre dhe arrijnë në vlerën e 464 milionë lekëve (3.8 milionë euro).

Në janar 2020 eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 73.1 % të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 76.2 % të importeve gjithsej. Gjithsesi, viti 2019 ka qenë një vit i cili pa dyshim ka forcuar tregtinë e jashtme me Kosovën, për sa u përket eksporteve. Kosova është vendi me të cilin Shqipëria ka ndier rritjen më të madhe të eksporteve gjatë vitit 2019, krahasuar me një vit më parë, konkretisht me 10%. Sipas të dhënave të INSTAT-it, nëse në vitin 2018 eksportet drejt Kosovës kanë kapur vlerën 27 miliardë lekë, në 2019 kjo vlerë u rrit në 29.8 miliardë lekë, duke u diferencuar me 2.8 miliardë lekë nga një vit më parë. Kontributin më të madh në rritjen e eksporteve me Kosovën e kanë dhënë grupmallrat “ushqim, pije dhe duhan”.

Më 2018 vlera e këtyre grupmallrave të eksportuara në Kosovë ishin 2.8 miliardë lekë, ndërsa në vitin pasardhës grupmallrat “ushqim, pije dhe duhan”, që u eksportuan drejt Kosovës, kapën vlerën 3.7 miliardë lekë. Po ashtu, edhe grupmallrat “produkte kimike dhe plastike” kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e eksporteve mes Shqipërisë dhe Kosovës. Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se në janar-dhjetor 2018, eksporti i këtyre grupmallrave në Kosovë ishte në vlerën 1.3 miliardë lekë, kurse në 2019 arriti në 2.1 miliardë lekë.

Nga ana tjetër, nëse në vitin 2019 Shqipëria ka dhënë “shumë” në Kosovë, duket se ka marrë “pak”. Nëse eksporti në Kosovë ka kaluar vlerën 29 miliardë lekë (viti 2019), importi, nga ana tjetër, ka qenë në vlerën e 7.7 miliardë lekëve. Në vetvete, importi nga Kosova ka qenë përveçse në disbalancë me eksportin, edhe më i ulët se në vitin 2018. Sipas INSTAT-it, në periudhën janar – dhjetor 2018 importi nga Kosova ka qenë në vlerën 8.9 miliardë lekë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka folur për një numër barrierash që Shqipëria po aplikon ndaj Kosovës. Sipas Rukiqit, pas Serbisë, Shqipëria mbetet vendi me më së shumti barriera jotarifore për produktet nga Kosova.

“Produkte të caktuara kosovare më lehtë eksportohen në Skandinavi se në Shqipëri. Niveli i këmbimeve tregtare mes dy vendeve është jo më shumë se këmbimet mes dy kompanive mesatare evropiane”, ka deklaruar Rukiqi.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483