Kosova

Takohen Limaj e Murati, LB-ja në diskutime për koalicion edhe me PDK-në e PSD-në

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, dhe ai i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, kanë biseduar për mundësitë e lidhjes së një koalicioni parazgjedhor mes dy partive që ata drejtojnë.

Pas takimit, Limaj tha se Nisma është e interesuar të bashkëpunojë më LB-në, ndërsa shtoi se me Muratin kanë biseduar lidhur me modalitetet e këtij bashkëpunimi të mundshëm.

“Jam takuar me mikun e vjetër, mikun e luftës Valon Murati, kemi biseduar për mundësitë e bashkëpunimit mes Nismës dhe Lëvizjes për Bashkim. Ne kemi shumë gjëra për të cilat mund të bashkëpunojmë. Nisma është e interesuar për koalicion me LB-në, andaj sot kemi diskutuar lidhur me modalitetet e një bashkëpunimi të mundshëm”, tha Limaj pas takimit.

Megjithatë, Lëvizja për Bashkim ende nuk ka vendosur se me cilën parti do të bëjë koalicion parazgjedhor.

Burime të Koha.net brenda kësaj partie bëjnë me dije se palët nuk kanë arrit ndonjë marrëveshje me Nismën.

“Palët janë takuar për të parë pozicionet e njëra-tjetrës”, ka thënë një burim brenda LB-së.

Sipas të njëjtit, Lëvizja për Bashkim po e negocion një marrëveshje të mundshme bashkëpunimi parazgjedhor edhe me PDK-në. Me këtë parti, LB-ja ka qenë në koalicion parazgjedhor në dy palë zgjedhjet e kaluara.

LB-ja paralajmëron se do të bisedojë edhe me PSD-në e Shpend Ahmetit, e cila është në koalicion parazgjedhor me AAK-në e Ramush Haradinajt.

Shfaq më shumë
//nessainy.net/4/3473483