Kosova

Takimi Thaçi – Kurti a do të realizohet sot?

Thaçi-Kurti

Kanë shkëmbyer disa herë ftesa, por për t’u takuar, nuk janë takuar.

Megjithatë Kryeministri Albin Kurti e presidenti Hashim Hashim Thaçi janë takuar vetëm njëherë. Madje ai takim s’ka zgjatur më tepër se 5 minuta. Një takim shefi i Qeverisë e planifikoi edhe për nesër, por këtë ende s’e ka konfirmuar kryetari i shtetit.

Derisa tri ditë më parë presidenti Thaçi u takua me liderët e të gjitha partive në vend, në takim nuk i shkoi Kurti.

Kryeministri i vendit, takimin siç deklaroi presidenti, e ka anuluar vetëm 5 minuta para se ai të fillojë, duke e thirrur një tjetër për të premten.

Mirëpo, se a do t’i shkojë Thaçi Kurtit në takim ose jo ende nuk dihet, pasi që zyra e presidentit nuk e ka konfirmuar një gjë të tillë.

Kujtojmë se Thaçi dje përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook e ka quajtur Kurtin të frikësuar, gënjeshtar, mashtrues, të padinjitet dhe konsistent në qëndrime kundër Amerikës.

“I frustruar, vazhdon gënjeshtrat dhe mashtrimet. Frikacak dhe djallëzor, po përçan politikën dhe institucionet e Kosovës. Përqesh dhe saboton shtetin. Nuk ka guxim as ta heq taksën, as të vërë reciprocitetin.I padinjitet”, ka shkruar Thaçi në Facebook pas fjalimit të Kurtit në seancën e jashtëzakonshme.

Kryeministri në Kuvend e ka akuzuar Thaçin se tashmë ka bërë marrëveshje sekrete me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq dhe ka vazhduar negociatat e fshehta me të.

“Unë jam i bindur që ka marrëveshje mes dy presidentëve dhe duan që unë të thyhem si kryeministër dhe të thyhet Qeveria, ashtu që nënshkruhet ajo”, ka thënë Kurti dje.

Kujtojmë se SHBA-ja ka kërcënuar me tërheqje të trupave nga Kosova, për shkak të mosheqjes së taksës 100 përqind, ndaj produkteve serbe e boshnjake.