Kosova

Tahiri: Vendi në krizë institucionale, s’do të ketë as qeveri të re, e as zgjedhje

Presidenti i vendit Hashim Thaçi për dy ditë rresht takoi të gjithë liderët politikë, për konsultime rreth gjendjes së krijuar pas rrëzimit të Qeverisë Kurti.

Ndërsa sot ai përdori diskrecionin e tij që vendi të mos shkojë në zgjedhje, por të shikohet mundësia për krijimin e një qeverie të re.

Madje ai menjëherë kërkoi nga Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese, të dërgojë mandatarin e ri për kryeministër.

Por të gjithë këtë situatë të krijuar, politologu Ramush Tahiri po e dhe si thellim të krizës institucionale.

Në një intervistë për KosovaPress, Tahiri thotë se tashmë Kosova ka hyrë një situata absurde, pasi që konsideron se VV-ja as nuk do të dërgojë mandatar e madje as nuk do t’i kthejë fare përgjigje Presidentit. Dhe në këtë mënyrë agonia politike do të vazhdojë me muaj të tërë.

“Tash jemi në një situatë absurde. Kemi një qeveri e cila dëshiron të rrinë në pushtet. Kemi një parlament i cili e ka shkarkuar këtë qeveri. Dhe kjo qeveri në bazë të nenit 100 të Kushtetutës është qeveri në dorëheqje dhe kemi një President i cili nga tri mundësitë e ndryshme e zgjodhi pikërisht mundësinë që edhe njëherë mandati t’i takon VV-së. Por faktikisht mundësinë e cila për këtë moment nuk është zgjidhje. Duket që është respektim i Kushtetutës sepse është në diskrecion të Presidentit se si do të ishte sjell, por në cilën do variant tjetër unë besoj që do ta kishim një zgjidhje të krizës. Tash është në vullnetin e VV-së a do ta dorëzon emrin. VV-ja nuk duket që e ka asnjë shans që mund të dorëzon një emër tjetër për kryeministër, duke përfshirë këtu edhe Vjosa Osmanin. Dhe si duket kriza procedurale dhe institucionale do të vazhdojë”, thotë Tahiri.

Tahiri thotë se presidenti Thaçi përdori të drejtën e tij kushtetuese duke ia ofruar Lëvizjes Vetëvendosje edhe një shans për formimin e qeverisë së re, ndërsa shton se pas shkarkimit qeveria nuk ka kredibilitet.

Politologu Tahiri vlerëson se në këtë situatë i vetmi institucion që ka kredibilitetin e plotë për të vepruar presidenca.

“Presidenti deshi që mandatit t’ia jap VV-së dhe tash kjo parti e ka për obligim ligjor dhe kushtetues të del me një kabinet të ri qeveritar dhe të kërkojë votëbesimin e Kuvendit. Dhe nëse rrëzohet, atëherë ekziston mundësia që Presidenti t’ia japë mandatin një partie tjetër dhe të krijohet një qeveri pa VV-në. Për momentin, qeveria është e shkarkuar dhe ani që është në detyrë faktikisht nuk ka legjitimitet dhe nuk ka as legjitimet të popullit. Sepse legjitimiteti qytetar delegohet përmes deputetëve të Kuvendi dhe deputetët me dy të tretat e kanë shkarkuar këtë Qeveri. Tash i vetmi institucion kredibil në këtë moment sado që zgjat kjo agoni është Presidenti. Parlamenti i Kosovës për shkak koronavirusit është në kompetencat e tij por nuk mund të veprojë përmes ekzekutivit dhe duket se nuk ka një mundësi që të gjejë çfarëdo zgjidhje tjetër përveç që ta shpërndajë veten me dy të tretat dhe vendi të mbetet krejt në Presidentin, që besoj se nuk është synim, por as s’është e mirë e Kosovës”, thotë ai.

E gjithë kjo situatë sipas Tahirit do të krijojë atmosferë të tensionuar politike ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, e që sipas tij do t’i shkonte përshtati presidentit Hashim Thaçi

“Kjo qeveri dhe kjo Vetëvendosje që është identifikuar me këtë pushtet që është në shkuarje, ose në dorëheqje e ka gjithë përgjegjësinë e veprimit ekzekutiv për shtetin. Nuk e ka Presidenti, nuk e ka Parlamenti. Ndërsa kjo Qeveri nuk e ka shumicën dhe masat që i ndërmerr i nënshtrohen gjithmonë në revidimi, por edhe masat që i ndërmerr do të kenë pasoja në marrëdhëniet sidomos me LDK-në, por edhe në marrëdhëniet me qytetarët. Mundet që presidentit t’i konvenojë lufta ndërmjet VV-së dhe LDK-së, sepse tani kemi të bëjmë me një elektorat”, thotë ai.

Tahiri thotë se situata e krijuar në vend pamundëson formimi ne një qeveri tjetër, madje edhe shkuarjen në zgjedhje. Ai parasheh krizë institucionale disamujore.

“Tash nuk do të kemi qeveri të re siç po shihet puna. Shansi që VV-ja të them kushtimisht të bëjë ndonjë gabim dhe t’i qojë ndonjë letër Presidentit me të cilën thekson se nuk dëshiron ta dërgojë emrin e mandatarit, ose nuk dëshiron me marrë mandatin, ose një letër që do të thoshte se ne kemi kërkuar nga ju që t’i shpallni zgjedhjet e jashtëzakonshme e jo ta caktoni në qeveri të re, e cila do të ishte një argument për Presidentin që ta konsiderojë se VV-ja e ka refuzuar mandatin dhe me ia jap mandatin LDK-së, ose ndonjë partie tjetër. Unë nuk besoj se kjo do të ndodhë dhe ne do të kemi akuza dhe kundër-akuza edhe nga presidenti do të ketë disa herë ftesa për VV-në që ta kryen obligimin e saj kushtetues dhe të ballafaqohet me Kuvendin dhe me mandatarin e ri. Më shumë unë e shoh këtë muaj që do të kemi akuza e kundër-akuza për VV-në”, thotë ai.

Presidenti i vendit Hashim Thaçi dje dhe sot takoi të gjithë liderët e partive politike me të cilët u konsultua për gjendjen e një zgjidhjeje pas rrëzimit të Qeverisë Kurti.

Ndërsa, të gjitha partitë, përjashtuar Vetëvendosjen u pajtuan që të formojnë një qeveri për të shmangur zgjedhjet në këtë kohë pandemie të krijuar nga virusi COVID-19.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.