Kosova

Tahiri thotë se me Ligjin për Qeverinë nuk do të ketë më shumë se 16 ministri

Koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore, Besnik Tahiri, duke folur për Ligjin për Qeverinë, ka thënë se nuk do të ketë më shumë se 16 ministri në Qeverinë e Kosovës.

Sipas tij, asnjë ministri nuk do të ketë më shumë se dy zëvendësministra, ndërkaq ka deklaruar se me këtë ligj një ministri nuk do t’i lejohet t’i ketë dy pozita.

Ai në emisionin “Interaktiv” në KTV, ka thënë se do të vendoset edhe kuota gjinore për ministritë.

“Ne jemi momentalisht mes 14-16 dikastereve. Asnjë ministri s’do të ketë mbi dy zëvendësministra. Ne për herë të parë jemi duke bërë një ligj që përcakton jo vetëm procedurën kushtetuese të funksionimit të qeverisë, por të gjitha proceset që lidhen me transparencë”, ka thënë ai. “Ky ligj e përcakton shumë mirë se sa vende të punës do të ketë një ministër, i cili s’do të lejohet të ketë më shumë se një pozitë. Gjithashtu po e vendosim kuotën gjinore për nëpër ministri”.

Ai ka thënë se Ligji për Qeverinë do të hyjë në fuqi brenda këtij mandati madje sipas tij ka gjasë edhe brenda këtij viti.

Tahiri ka folur për punësimet në Postë, duke thënë se është bërë shpjegim i gabueshëm. Sipas tij, Muharrem Nitaj është etiketuar gabimisht pasi që djali tij është punësuar me kontratë mbi vepër.

“Shpjegimi që është bërë për punësimet në Postë, ka qenë shpjegim i gabueshëm. Shembulli i Muharrem Nitaj, djali i tij është me kontratë mbi vepër, i ka ardh dita që me ja zgjat njerëzit gishtin pa asnjë arsye”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se partitë tjera duhet të jenë të pastra para se t’ua drejtojnë gishtin AAK-së.

“Duhet me u bë bashkë të gjitha partitë politikë, që t’i ndalim të rinjtë që po ikin. Kur t’ia zgjatësh gishtin dikujt duhet me qenë i pastër si loti”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se do të jap dorëheqje nga pozita e tij pasi të jetësohen ligjet që janë në procedurë.

“Është e vërtetë që kemi 70-80 zëvendës ministra, po ta jap një premtim që atë ditë që do i kryej këto ligje, do të jap dorëheqje, veç me jap shembull që funksioni duhet të jetë”, ka shtuar ai

Ndërkaq emërimin e Ramadanit si koordinator ai e ka quajtur vlerë të shtuar duke thënë se ka bërë punë të mirë në procesin e integrimit në Nato.

Ai thotë se promovimi i Ramadanit është bërë që në nivel ndërkombëtarë Kosova të ketë një nivel tjetër.

“Burimi ka bërë një punë të mirë në procesin e integrimit në NATO, është vlerë e shtuar. Qeveria e ka promovu Burimin që në raport me ndërkombëtarët me pas një nivel tjetër”, ka thënë ai.