Kosova

Tahiri: Të korruptuarit nuk duhet të ndëshkohen asnjëherë me masa alternative

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka hapur sot punimet në seminarin e nivelit të lartë mbi dënimet dhe masat alternative, organizuar nga Ministria e Drejtësisë dhe projekti i Binjakëzimit të BE-së, “Fuqizimi i mëtutjeshëm i Shërbimit Korrektues dhe Sprovues të Kosovës”.

Ministri Tahiri ka kërkuar nga gjyqtarët e prokurorët që t’i kushtojnë rëndësi zbatimit të masave alternative, duke qenë se përveç ndëshkimit, drejtësia synon edhe riintegrimin e personave të dënuar.

“Qëllimi i drejtësisë që ne si shoqëri synojmë, përveç ndëshkimit për kryerësit e veprave penale, përveç parandalimit dhe luftimit të dukurive antiligjore,  është që nga ballafaqimi me të, qytetarët tanë të reflektojnë dhe t’i rikthehen shoqërisë të përgatitur për të respektuar parimet dhe normat sociale. Ky është në esencë, qëllimi mbrapa masave dhe dënimeve alternative që po i trajtojmë sot” ka thënë ministri Tahiri.

Megjithatë, ministri Tahiri ka kërkuar nga gjyqtarët dhe prokurorët që në asnjë rrethanë mos të shqiptojnë dënime alternative për veprat e korrupsionit.

Ministri Tahiri ka theksuar se do të përkrah edhe më tutje profesionalizimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në këtë fushë edhe përmes Agjendës “Drejtësia 2020”, në kuadër të së cilës po mbahet edhe ky seminar.

Agjenda “Drejtësia 2020”, tashmë ka kredenciale të njohura si plan që do të përshpejtojë reformat në sistemin e drejtësisë dhe që ka mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian.

“Kjo agjendë, në epiqendër të saj e ka përshpejtimin e reformave, zbatimin e tyre dhe fundin e tranzicionit të gjatë në drejtësinë tonë, me synimin e vetëm që qytetarët ta kenë një përvojë të re me sistemin e drejtësisë. Rruga nuk është e lehtë por absolutisht nuk është e pamundur dhe jemi shumë optimist se kjo agjendë do ta arrijë ta bëjë diferencën” ka theksuar ministri Tahiri. /Kosova.info/

Lini një Përgjigje

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.