Kosova

Tahiri: Kurti e Vitia të ndalin luftën ndaj mediave dhe të japin llogari për dështimin e qëllimshëm të kontratës për vaksina

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka mbajtur sot konferencë për media ku ka kërkuar sqarim nga Qeveria Kurti për dështimin e nënshkrimit të kontratës për sigurimin e vaksinave Pfizer.

Tahiri ka thënë se kryeministri Albin Kurti dhe ministri i shëndetësisë, Arben Vitia sot duhet të dalin para qytetarëve për t’iu dhënë sqarim se pse ka dështuar marrëveshja me kompaninë Pfizer, sepse shteti është përgjegjës për sigurimin e vaksinave.

“Dokumentet e publikuara nga mediumet tona të lira tregojnë qartë që ky dështim është i qëllimshëm. Ne kërkojmë sot nga kryeministri Kurti dhe ministri Vitia të tregojnë se pse ka dështuar ky furnizim me vaksina në Republikën e Kosovës, kërkojmë sqarim, kërkojmë transaparencë nga kryeministri i Republikës së Kosovës, ai i cili dje organizonte ceremoni për marrjen e donacioneve nga Covax”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar se për më pak se një muaj prej se ka marrë detyrën Qeveria Kurti, në Kosovë kanë vdekur 293 qytetarë.

Tutje, Tahiri ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që të mos bjerë në ndikimin e Albin Kurtit duke i intervistuar gazetarët, sepse sulmi ndaj mediave të lira është i papranueshëm.

“Nxjerrja në pah e dështimeve të Qeverisë së Kosovës, nxjerrja në pah e abuzimeve që mund të ndodhin nga ministrat e kësaj qeverie janë tepër të rëndësishme dhe këtë mund ta bëjnë vetëm mediat. Prandaj, e dënojmë dhe e denoncojmë çfarëdo sulmi ndaj mediave të lira.”, është shprehu Tahiri.

Po ashtu, Shefi i GP të PDK-së ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca që ta thërras kryesinë e Kuvendit për të caktuar seancën për diskutimin e kërkesave të dorëzuara dje nga PDK, sepse qeveria e ka për detyrë të dalë dhe të japë sqarime rreth çështjes së sigurimit të vaksinave.

Tahiri ka theksuar bërë thirrje të gjithë shërbyesve civilë që t’i raportojnë për çdo parregullsi brenda ministrive, sepse Ligji për sinjalizuesit është në fuqi nga viti 2018 dhe shërbyesit civilë janë të mbrojtur me këtë ligj. /Kosova.info/