Rajoni

Tahiri: Kandidatja e VMRO-së mund t’i fitojë zgjedhjet

Njohësit e çështjeve politike në Maqedoninë e Veriut kanë thënë për gazetën “Zëri” se gjasat që Blerim Reka të marrë pozitën e të parit të Maqedonisë janë të ulëta. Një gjë e tillë konsiderohet se po vjen për shkak të mosunitetit të partive shqiptare për ta përkrahur Rekën si kandidatin e vetëm shqiptar në zgjedhjet presidenciale. Kësisoj vlerësohet se ekzistojnë mundësitë më reale që dy kundërkandidatët e Rekës të shkojnë në balotazh.

Analisti politik Ramush Tahiri, duke i komentuar zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, u shpreh se me gjithë përçarjet e partive politike shqiptare gjasat më të mëdha për t’i fituar zgjedhjet presidenciale i ka kandidatja e VMRO-së, Gordana Siljanoska Davkova.

“Nëse vazhdon të ketë përçarje, sidomos të partive politike shqiptare, ashtu si po shkon situata dhe gjendja aktualisht, atëherë kandidatja e VMRO-së ka mundësi që të fitojë pa balotazh për shkak të atmosferës së krijuar atje, sepse vota është e shpërndarë dhe varet sa marrin pjesë në zgjedhje, por vota për VMRO-në është kompakte”, ka deklaruar Tahiri për Zërin.

Ai thekson se si pasojë e mosunifikimit të partive shqiptare rrjedhimisht nuk do të ketë as vota për ta çuar Rekën në balotazh.

“Jo se nuk e meriton Blerimi që të zgjidhet president i Maqedonisë, por votat janë partiake dhe elektorati është i ndarë, nuk do t’ia mundësojë që të shkojë në balotazh. Është keq që shqiptarët po përçahen dhe nuk kanë një kandidaturë të përbashkët për president. Si në Kosovë, në Shqipëri e në Mal të Zi, ashtu edhe në Maqedoni po dallohet segmenti politik prej segmentit kombëtar”, është shprehur Tahiri.