Kosova

Tahiri e quan mashtrues Hotin: Ia përmend rastet kur i fshehën gjërat me VV’në

Abelard Tahiri, ministër në detyrë i Drejtësisë e ka quajtur ‘mjeshtër të huqjeve’ Avdullah Hotin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ky reagim i Tahirit erdhi pas deklaratës së Hotit rreth takimit të Isa Mustafës dhe Albin Kurtit, se s’ka marrëveshje, madje nuk shpalosi asnjë detaj.

Tahiri ka thënë se kjo është veçse një dëshmi pararendëse e modelit të qeverisjes që LDK-ja dhe Vetëvendosja presin t’ua shërbejnë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Ja reagimi i plotë:

Avdullah Hoti është mjeshtër i huqjeve. Është për keqardhje që në mënyrë kaq irracionale e me deklarata pompoze, Hoti flet për transparencën, kur as pas dy vite opozitarizmi të përbashkët, dhe as pas dy muajsh negociata, transparenca e LDK-së dhe VV-së nuk ka kaluar më shumë se një fjali: “u pajtuam që të merremi vesh”.

Thanë se kanë harmonizuar qëndrimet e asnjë qëndrim s’është bërë i njohur. Thanë se kanë bashkuar programin, por asnjë shkronjë prej tij s’e kanë prezantuar për informim të qytetarëve. Thanë edhe shumë gjera të tjera, përderisa me vepra po dëshmojnë se ky standard i ri i transparencës, është asgjë më shumë, sesa mungesa e plotë e saj.

Në fakt, kjo është veçse një dëshmi pararendëse e modelit të qeverisjes që LDK-ja dhe Vetëvendosja presin t’ua shërbejnë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Një model i plogësht, pa ide e pa zgjidhje, kreativiteti i të cilit nuk shkon më larg sesa kamuflimi i lodhtë i Avdullah Hotit rreth transparencës që na pret.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483