Kosova

Tahiri: Abdixhiku na tha se unitet në humbje nuk ka, humbësit do të marrin përgjegjësi

Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka thënë në emisionin Pressing në T7 se tash e tutje humbësit do të mbajnë përgjegjësi për gabimet e tyre.

Ai ka treguar detaje nga takimi i Kryesisë së LDK-së dhe disa prej fjalëve të kryetarit, Lumir Abdixhiku.

“Kryetari Abdixhiku na bëri të qartë. Nuk ka komoditet në humbje. Abdixhiku na tha se unitet në humbje nuk ka”, tha Tahiri.

“Nuk do të ketë më ikje nga faji vetëm për arsye të mbajtjes së unitetit brenda partisë. Do të analizojmë secilin rezultat në zgjedhjet e ardhshme. Humbësit do të marrin përgjegjësi. Ka shkuar ajo kohë kur për hir të unitetit kemi lëshuar pe”, shtoi ai.

Tahiri ka thënë po ashtu se gara e ardhshme lokale nuk do të jetë politike pasi qytetarët do të shikojnë planet e kandidatëve më shumë se sa cilës parti i takojnë këta kandidatë.