Kombëtare

“Ta Pastrojmë Kosovën” vazhdon me aksione pastrimi dhe trajnimi të mësimdhënësve

Mbi 50 thasë me mbeturina dhe 12 kamionë me mbetje inerte janë larguar gjatë aksionit të sotëm të pastrimit në një deponi, në fshatin Dobrevë të Komunës së Fushë Kosovës.

Aksioni u realizua në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, ndërsa morën pjesë dhjetëra vullnetarë.

Drejtori ekzekutiv i Let’s Do It, Luan Hasanaj tha se në fokus të fushatës do të jenë brezat rrugor si dhe gjobitja e atyre që hedhin bërllok.

Sipas tij, edhe komuniteti i ndërtuesve duhet të jetë më i përgjegjshëm, në mënyrë që mbetjet ndërtimore të mos i hedhin nëpër hapësira publike, por në vende të caktuara.

“Ne çfarë do kërkonim përpos një angazhimi shtesë të institucioneve që duhet të kujdesen për këto hapësira, duhet t’i gjobisin ata të cilët i krijojnë këto situata, duhet të kenë kujdes edhe kur i japin lejet e ndërtimit, sepse sa ne e kemi vërejtur, asnjë leje e ndërtimit që jepet, nuk e sanksionon vendosjen e kontejnerëve aty që mbetjet ndërtimore të vendosen dhe pastaj të shkojnë nëpër lokacionet që janë të përcaktuara për to. Jemi të gjithë bashkë, kërkojmë mbi të gjitha përgjegjësi dhe përgjegjësia në radhë të parë bie mbi institucionet komunale, pastaj qendrore por më së shumti prej qytetarëve”, ka thënë Hasanaj.

Edhe koordinatori i Grupit Teknik të Task-Forcës së MMPH-së, Besmir Kokollari, kërkoi më shumë përgjegjshmëri nga ndërtuesit.

“Në emër të MMPH-së, i kërkoj komunës së Fushë Kosovës të ndërmarrë masa përmes inspektoratit në gjobitjen, në zbatimin e udhëzimit administrativ për gjoba mandatore, për shkak se ky lokacion i cili është i mbushur me mbetje inerte të forta mos të përsëritet kjo gjendje por të bëjnë punën e tyre inspektorati komunal”, ka thënë Kokollari.

Aksionit të sotëm iu bashkua edhe aktori i njohur kosovar, Jeton Zogiani, i cili përgëzoi iniciativën për pastrimin e kësaj hapësire nga vullnetarët.

“Gjendja me kalimin e kohës po vjen duke u përmirësuar. Kohëve të fundit është rritur vetëdijësimi i njerëzve për të mos hedhur mbeturina në vende publike. Mendoj që gjuajta e mbeturinave në këtë zonë vjen prej kalimtarëve, jo prej qytetarëve të zonës sepse ata janë shumë të vetëdijshëm se këtu jetojnë dhe nuk e kanë vullnetin me e ndotë ambientin ku fëmijët e tyre jetojnë dhe të rriten në një ambient të papastër”, tha Zogiani.

Përveç Fushë Kosovës, në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, aksion pastrimi pati edhe në fshatin Shtitaricë të Komunës së Vushtrrisë.

Aksionit i janë bashkuar mbi 60 vullnetarë, të cilët kanë arritur të grumbullojnë mbi 200 thasë me mbeturina nga rruga kryesore e fshatit, përgjatë hekurudhës, trotuareve, oborrit të shkollës së fshatit si dhe hapësirës përreth.

Ky ka qenë një nga aksionet më të mëdha në këtë komunë pa ndihmën e makinerisë, pasi gjatësia totale e hapësirës së pastruar nga vullnetarët i kalon 3.5 kilometra.

Image

Përveç aksioneve të pastrimit, sot është mbajtur edhe trajnimi i radhës “Ngritja e kapaciteteve të mësimdhënësve në fushën e mjedisit jetësor”, organizuar nga Let’s Do It.

Trajnimi i sotëm u mbajt në Komunën e Skenderajt, ndërsa morën pjesë 20 mësimdhënës.

Ky trajnim që u organizua në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, si dhe Drejtorinë Komunale të Arsimit në Skenderaj, synon rritjen e fokusit të mësimdhënësve në temat që lidhen me edukimin mjedisor si dhe zhvillimin e aktiviteteve konkrete që promovojnë rëndësinë e ruajtjes së mjedisit jetësor.

Këto trajnime dyditore, përveç Skenderajt, janë mbajtur edhe në Istog, Klinë dhe Podujevë, ndërsa do të vazhdojnë edhe në komunat tjera.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.