OPINION

Ta ndalim ikjen e të rinjve nga Kosova!

Shkruan: Florim ZEQA
Shkaqet e largimit në heshtje të popullatës nga Kosova janë të shumta. Pa dyshim, thyerja më madhe shpirtërore e qytetarëve burimin e ka tek politikbërja, sistemi i drejtësisë dhe pabarazia qytetare në rastin e punësimeve në institucionet shtetërore.

Për shkak se të gjithë politikanët pa dallim, në radhë të parë liderët partiak po punojnë për vetëm për realizimin e interesave të tyre personale për mbajtjen, gjegjësisht marrjen e pushtetit. Ndërsa, populli si gjithnjë po mashtrohet dhe instrumentalizohet nga demagogët e profiterët politikë.

Shkak për trajtimin edhe një herë të temës së largimit të popullatës nga Kosova, kësaj radhe u bë reagimi i një qytetari nga Kosova, emrin e të cilit nuk po e bëj publik për opinionin e gjerë; “Si aplikant për rekrut në Forcën e Sigurisë së Kosovës, sot edhe më shumë më bindën që nuk ja vlen as edhe 1 ditë me qëndrua e me humbë kohë kot në Kosovë. Sot militantë e manipulantë partiak u bënë bashkë e i shuan ëndrrat e shumë aplikuesve që shënuan maksimumin e pikëve në testet e para, po që nuk e kanë as mixhën, as dajën, e as kushëririn që me i rahatu. Ende s’po më besohet se qysh mundet në institucion të mbrojtjes me pas nepotizëm, ky është kulmi i degradimit të shtetit. Turp për ata pjesëtarë të FSK-së, që kanë marrë guximin me e njollosë institucionin më të besueshëm të vendit me urdhra partiake. Tash mundemi me u angazhua dhe aktivizua vetëm me u pajisë me vizë për largim nga vendi…”.

Largimi i të rinjve, vdekje klinike për shtetin

Largimi ditëve të fundit i të rinjve dhe familjeve shqiptare në mënyrë masive nga Kosova e rrezikon të ardhmen e vendit nesër. Është tepër e dhimbshme kur dëgjon që familje të tëra, të lodhura nga skamja e denigrimi social, nga humbja e të gjitha shpresave për një të nesërme më të mirë në shtetin e lirë…, me lot ndër sy, me dhembje në shpirt e mbyllin pragun e shtëpisë së tyre, për t’u nisur drejt një shprese të re në vende të panjohura.

Është tepër e dhimbshme kur fëmijëve u ndërpritet fëmijëria në vendin e tyre; kur nxënësit ndahen nga shokët e klasës, nga mësuesi që ua mësoi alfabetin e gjuhës shqipe, nga familja e farefisi i gjerë, ndoshta për të mos u parë më kurrë më në këtë jetë!

Shuarja e shpresave dhe ëndrrave, për të krijuar lumturi të përbashkët familjare në shtetin amë, në vendlindjen e tij është gjëja më e dhembshme që mund të përjetojë njeriu në jetën e tij.

Ikja e të rinjve nga Kosova nuk ka të ndalur, pothuajse çdo ditë nga stacioni i autobusëve në Prishtinë dhe nga qendrat e tjera të Kosovës, numër i madh i kosovarëve (shqiptarëve) mbushin autobusët e linjës Prishtinë- Beograd për të vazhduar për në Kroaci, Slloveni, Hungari,…drejt vendeve të perëndimit.

Flitet për dhjetëra mijëra shqiptar të Kosovës, që gjatë këtyre 11 vjetëve në shtetin e pavarur të Kosovës u “konvertuan” në shtetas të Serbisë, për t’u pajisur me një pasaportë serbe…, mundësi kjo e ikjes më të lehtë nga Kosova drejt vendeve evroperëndimore. Statistikat janë tepër shqetësuese edhe sot, ku vetëm në pesë muajt e fundit, nga Kosova janë larguar rreth 70 mijë qytetarë të sajë.

Prapavija politike dhe zbrazja në heshtje

Prapavija e këtyre ikjeve po ashtu është politike, objektiv i kahershëm i fqinjëve tonë veriorë (serbëve) për zbrazjen e Kosovës nga popullata shqiptare po bëhet realitet në Kosovën e “pavarur”. Këtu nuk përjashtohen as marrëveshjet e fshehta të Serbisë me disa nga shtetet evroperëndimore!

Përderisa politikanët e mjerë kosovarë janë shndërruar në thyerës të shpresave të popullatës, përfitues të këtyre situatave janë kontrabanduesit e njerëzve në bashkëpunim me pushtetarët andej dhe këndej kufirit!

Largimi në mënyrë masive i të rinjve dhe familjeve shqiptare nga Kosova i ditëve të fundit e rrezikon të ardhmen e vendit nesër. Mallkimi dhe rënkimi i të ikurve me shpirt të thyer nga vendlindjet e tyre ndjellë kob për shtetin e ri të Kosovës.

Zbrazja e Kosovës nga qytetarët, veçanërisht nga të rinjtë, do të ketë pasoja zinxhirore për të ardhmen e ekonomisë së vendit, e cila do të reflektohet me mungesë të fuqisë punëtore, me ikjen e trurit dhe shpirtit të kombit zbehet akoma më shumë perspektiva e shtetit.

Me liberalizimin eventual të vizave do të rrezikohet ikja e 80 përqind e të rinjve nga Kosova.

Njerëzit nuk po ikin nga dëshira, me “Ifona në dorë”, siç pat deklaruar ish kryeministri i vendit Isa Mustafa, por nga pamundësia për të jetuar dinjitetshëm në atdheun e tyre, ngase pushtetarët përveçse nuk iu ofruan asgjë, ua mbyllen të gjitha dyert, ua shuan të gjitha shpresat për jetë në vendlindjen e tyre.

Nuk e besoj që ka mallkim më të madh, kur babai i një dëshmori, që e kishte të vetmin djalë, i shkon tek varri dhe i thotë: “Lamtumirë o bir, unë po ta kthej shpinën dhe po e lë vendin për të cilin dhe jetën ti o drita e vetme e jetës sime…”!

Ikja nga vendlindja, është e rëndë për familjet dhe e kobshme për shtetin. E gjithë kjo për shkakun e një klase politikanësh  të papërgjegjshëm që kanë uzurpuar institucionet e Republikës së Kosovës.

Ikja e të rinjve nga vendlindja nuk është zgjidhja, përkundrazi paraqet dorëzimin më katastrofal para të keqes që ka mbërthyer vendin.

Zgjidhja, apo më mirë të themi ndalja e ikjes së të rinjve nga Kosova është në dorën e të rinjve, në riorganizimin dhe rirreshtimin e tyre në një forcë të re politike dhe kreative, e jo assesi bashkëngjitjes forcave të ricikluara politike të sojit të partive që ofrojnë figurat e ricikluara politike, argatët dhe bashkëpunëtorët e deridjeshëm të partive të inkriminuara apo subjekteve të stërmbushura me agjent të SHIK-ut, BIA-s serbe, agjentura ruso-serbe apo fundamentalist të sekteve të ndryshme fetare.

Pushtetarët dhe uzurpatorët e shtetit, që u është bërë gjaku ujë, një ditë përveç mallkimit (gjykimit) të popullit do t’i zërë edhe mallkimi i Zotit!