Kosova

Sveçla për sulmin ndaj atletëve të “Kosovo Mountain Club”: Kërkova të hetohet rasti sa më parë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se ka kërkuar nga Drejtori i Policisë së Kosovës që të hetohet sa më parë rasti i sulmit me armë zjarri në Zubin Potok ndaj atletëve të “Kosovo Mountain Club”.

“Sot grupi i atletëve kosovar i organizuar nga “Kosovo Mountain Club” gjatë ecjes se tyre janë sulmuar me armë nga persona të panjohur në fshatin Kopilicë të Zubin Potokut. Fatmirësisht nuk kemi të vrarë apo të plagosur”.

“Me t’u njoftuar për ngjarjen, kam kërkuar nga Drejtori i Policisë së Kosovës që ky rast të hetohet sa më parë. Ky incident dhe të tjerët si ky, na tregojnë që sundimit i ligjit dhe gjendja e sigurisë publike në komunat Veriore të vendit si: Mitrovica Veriore, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok nuk është në nivel të kënaqshëm”.

Sveçla me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se forcimi i rendit dhe sigurisë publike në të gjithë territorin e vendit është synimi kryesor i MPB-së.

“Këtë mendojmë ta adresojmë përmes dy drejtimeve: së pari duke luftuar krimin dhe kontrabandën në atë pjesë të vendit dhe së dyti duke rritur bashkëpunimin me qytetarët tanë të cilët jetojnë në pjesën veriore të Kosovës, duke biseduar për shqetësimet e tyre të sigurisë, si dhe duke i adresuar ato”.

“Do të kërkoj nga Policia e Kosovës rezultate konkrete drejt përmirësimit të situatës së sigurisë publike në veriun e vendit në mënyrë që të gjitha aktivitetet nga qytetarët e Republikës së Kosovës të zhvillohen pa incidente të tilla”, ka shkruar Sveçla.

Sot grupi i atletëve kosovar i organizuar nga “Kosovo Mountain Club” gjatë ecjes se tyre jane sulmuar me armë nga…

Posted by Xhelal Sveçla on E diel, 9 Maj 2021