Kosova

Sveçla: Deputetët e PDK-së bojkotuan Komisionin sepse s’duan që të zbardhet e vërteta për dëbimin e turqve

Kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar për dëbimin e gjashtë shtetasve turq, Xhelal Sveçla nga Vetëvendosje, ka thënë se dështimi i takimit të sotëm ku ishte i ftuar shefi i AKI-së, Shpend Maxhuni, që të raportojë për këtë rast, u bë qëllimshëm nga deputetet e PDK-së.

Sipas tij, këta deputetë me një bojkot të tillë treguan se nuk duan që të zbardhet e vërteta.

Sveçla në emisionin “Interaktiv” të KTV-së tha se komisioni nuk po dështon në punën e tij, pasi që nga ai janë zbardhur shumë shkelje të institucioneve.

“Është e vërtetë se sot, sipas planit të Komisionit Hetimor Parlamentar, ishte i ftuar shefi i AKI-së Shpend Maxhuni, por për shkak të mosardhjes së deputetëve të PDK-së nuk u bë kuorumi.
Ata dëshironin të tregonin se ‘ja ku jemi por nuk dëshirojmë të ua bëjmë kuorumin’ pasi nuk dëshirojnë të zbardhet e vërteta për dëbimin e gjashtë shtetasve turq”, tha Sveçla. 

Lidhur me raportimin e presidentit Hashim Thaçi në këtë Komision, deputeti i VV-së tha se ky i fundit kishte ardhur në Komision vetëm për ta penguar të vërtetën e jo që të dëshmonte.

Sipas tij, Thaçi përmes kërkesave të tij dëshironte ta vinte në lajthitje publikun.

“Sjellja prej kapadaiu e presidentit nuk është përgjegjësi e Komisionit. Ai më shumë kishte ardhur të pengonte të vërtetën se sa të dëshmonte për ato që di. Presidenti dëshironte që ta vinte në lajthitje publikun, për të vënë në dyshim ekspertin ndërkombëtar dhe kërkonte pa të drejtë argumente nga Komisioni”, tha ai.

Sveçla thotë se kundërshtimet për ekspertin ndërkombëtar filluan kur ai në raportin e tij prezantoi 31 shkelje në rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq, shkelje në të cilat ishte i përfshirë edhe Thaçi.

“Presidenti ka qenë i përfshirë në këto shkelje për dëbimin e shtetasve turq dhe kjo po shihet. Unë kam mundur që mbledhjen kur dëshmonte presidenti ta mbyll për mediat, por duke pasur kamerat si dëshmitare dhe duke parë nevojën që të dëshmojmë se çfarë presidenti kemi, e kam parë të nevojshme që mediet të incizojnë sjelljen e presidentit që nuk përfaqëson atë që duhej ta përfaqësonte”, thotë ai.

Ai tutje ka prezantuar një dokument i cili është dërguar nga ekspertë botërorë të cilët kanë dënuar mohimin e ekspertit ndërkombëtar të angazhuar për zbardhjen e deportimit të shtetasve turq.

“Unë kam një letër që ka ardhur sot e që është nënshkruar nga 22 ekspertë juridikë, ekspertë të të drejtave të njeriut nga institucione e universitete të njohura botërore të cilët kanë reaguar në mënyrë të rreptë lidhur me deklaratat për ekspertin ndërkombëtar. Këto letra i janë drejtuar ambasadorit Kosnett si dhe zëvendëssekretarit të Departamentit të Shtetit të SHBA-së”, ka thënë deputeti i VV-së.

Sveçla tutje ka shtuar se do të kërkojnë nga Prokuroria që të ndërmarrë masa pavarësisht punës së Komisionit.  

Sipas tij, Prokuroria duhet që ta çojë këtë rast deri në fund sepse është obligim ligjor i tyre që shkaktarët t’i vendosë para drejtësisë. 

Lidhur me protestën e VV-së para Prokurorisë, Sveçla ka thënë se nuk ka qenë e planifikuar të jetë masovike. 

Ndërkaq ka paralajmëruar protestë gjithëpopullore për të parandaluar ikjen e të rinjve nga vendi.

“Këto tubime që jemi duke i bërë në të gjitha qendrat e Kosovës, patjetër që do të kulmojnë me një protestë”, ka përfunduar ai.

Shfaq më shumë