Kosova

Suspendohen 7 policë, arrestohen tre prej tyre pasi ia thyen brinjët qytetarit

Shtatë zyrtarë policorë janë suspenduar nën dyshimin se e kanë keqtrajtuar një qytetar nga Gjakova, duke ia thyer brinjtë, shkruan Gazeta Express.

Ndërsa tre prej tyre janë arrestuar, pasi dyshohet se kanë kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” dhe “lëndim i rëndë trupor”, kurse me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Qytetari nga Gjakova ka përfunduar në spital për shkak se ndaj tij është përdorur dhunë nga policia. 

IPK-ja ka njoftuar se ngjarja është raportuar të ketë ndodhur sot në orët e hershme të mëngjesit kur qytetari ishte ndaluar nga policia në Gjakovë fillimisht për një kundërvajtje në trafik.

Rasti është regjistruar në IPK dhe hetuesit janë angazhuar duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore lidhur me këtë rast duke dalë në vendin e ngjarjes. Ankuesi është dërguar për tretman mjekësor nga policia si pasojë e lëndimeve trupore që dyshohet se kanë ardhur nga përdorimi i forcës nga zyrtarët policorë.

Pas disa veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë kompetente, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot tre zyrtarë policorë (punonjës në Stacionin Policor të Gjakovës) që ishin të përfshirë në këtë incident.

Arrestimi i tyre është bërë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” dhe “lëndim i rëndë trupor”kurse me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe janë suspenduar nga detyra.

Lidhur me këtë rast, bazuar në autorizimet ligjore, IPK ka bërë rekomandimin për suspendim edhe të katër zyrtarëve tjerë policorë”, thuhet në komunikatën e IPK-së.