Kosova

Surroi: Thaçi bëri thirrje për përmbysje të rendit kushtetues, është shkelje e rëndë

Shkrimtari dhe publicisti, Veton Surroi, i vlerësoi si të gabuara veprimet e fundit të presidentit të vendit, Hashim Thaçi.

Duke komentuar iniciativën e Thaçit për të çuar në Kushtetuese vendimin e Qeverisë për të ndaluar lëvizjen e qytetarëve për shkak të pandemisë, Surroi tha në emisionin “Desku” në KTV, se me këtë ka cenuar rendin kushtetues.

“Fati i Thaçit është se në këto rrethana njerëzit janë duke e marrë më shumë me pasojat e pandemisë sesa me veprimet e tij. Mbrëmë bëri thirrje për rezistencë, që është e dënueshme me Kodin Penal. Ftoi pjesëtarët e forcave të sigurisë që të mos e respektojnë vendimin. Me këtë jo që bëri shkelje ligjore, por edhe kushtetuese, pasi bëri thirrje për përmbysje të rendit kushtetues, është shkelje e rendë”, tha ai.

Ai kritikoi edhe partitë opozitare dhe jo vetëm, për rreshtimin pas Thaçit në lidhje me vendimin e Qeverisë.

Në të vërtetë, Surroi vlerësoi se Qeveria Kurti, megjithëse ende me vetëm 50 ditë punë, ka bërë veprime që duhet të përshëndeten. Ai ka lavdëruar ministrat e dy të partive të koalicionit: VV e LDK.

Po ashtu tha se Kosova nuk ka mundësi të krijojë një legjitimitet të ri politik përmes zgjedhjeve dhe kësisoj, kjo Qeveri vazhdon të ekzistojë me legjitimitetin që ka.

Surroi foli për shfaqje të përgjegjshme të ministrave në këto dy muaj.

“Natyrisht ka ministra që dikujt nuk i pëlqejnë, por janë çështje dytësore. Ata kanë treguar një standard të ri, nga të dy partitë. Potenciali për ndryshim ekziston”, tha ai.

Surroi foli edhe për taksën dhe reciprocitetin e premtuar nga Qeveria Kurti. Sipas tij është për t’u vlerësuar që kryeministri Kurti ia ka dalë të nxjerrë vetën dhe Qeverinë nga një pozitë ku i kërkohej me çdo kusht heqja e tarifës në një ku mund të ulet në tavolinë dhe të shtrojë çështjen e reciprocitetit me Serbinë.

Foli edhe për masat ndaj Covid-19. Tha se në fillim u humb kohë duke u marrë me tema që s’janë relevante, si taksa.

“Për një javë Qeveria u mor me taksën, që është dytësore. Kjo temë nuk ka relevancë të madhe, është zgjidhur pak a shumë, e as që ka të bëjë me realitetin e sotëm. E njëjta gjë ka qenë me gjendjen e jashtëzakonshme të iniciuar nga zoti Thaçi. Nuk ka pasur asnjë nevojë për masë të tillë. Qeveria duhet dhe mund të vazhdojë. Ideja e çlirimtarëve është që të nxjerrët ushtria në rrugë, por çfarë të bëjë, ta rrezikojmë. Ajo na duhet ndoshta për muajt në vazhdim, që për një apo arsye tjera do na kishte hyrë në punë më shumë”, tha Surroi.

Shkrimtari u ndal edhe në shkarkimin e Agim Veliut nga posti i ministrit të Brendshëm. Sipas tij, ai u vetësuspendua.

“Kur ministri i Brendshëm del e thotë prej orës në orë kemi të infektuar dhe mbjell panik, atëherë ministri e vetësuspendohet, në atë moment thotë unë nuk kam kapacitet dhe duhet të vendoset gjendja e jashtëzakonshme”, shtoi Surroi.