INTERVISTA

Surroi: Nuk do të ketë qeveri të re, aventurë e rrezikshme për ata që e kanë ndërmarrë

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës arritën sot marrëveshje për koalicion qeverisës.

Politikani dhe publicisti i njohur nga Kosova, Veton Surroi, duke analizuar zhvillimet e fundit politike atje thotë se kjo është një tentativë antiligjore dhe antikushtetues që sipas tij do të dështojë me sukses.

Për RTV Ora, ai thotë se nëse krijohet një qeveri e re pa u shprehur më parë Kushtetuesja do të kemi një realitet të ri me dy qeveri.

Orkestrues të gjithë kësaj situate sheh presidentin Hashim Thaçi.

“Për faktin që letërkëmbimi mbetet sekret do të thotë se ka nevojë për tu fshehur, në demokraci nuk ka nevojë për tu fshehur. Një qeveri e re që synon të ndërtohet mbi fshehtësi, do të thotë se synon të ndërtohet mbi fshehjen e të vërtetës. Synimi është antikushtetues”, ka thënë Surroi.

Më poshtë intervista e plotë dhënë për gazetaren Beti Njuma në RTV Ora.

A mund të krijohet qeveria pa u shprehur Kushtetuesja?

Përpjekja është të krijohet një realitet i ri pa prononcimin e Gjykatës Kushtetuese. Nëse është e vërtetë do të përballemi me dy qeveri, njëra që është ndërtuar në bazë të një procedurë kushtetuese dhe tjetra e cila synon të marrë shumicën e votave në parlament dhe ndoshta mund ti sigurojë, por është ndërtuar jashtë procesit kushtetues. Kjo gjendje që tani po krijon një fërkim të panevojshëm politik, imagjino si do të reflektohet nëse me të vërtetë realizohet.

A mund të qeveriset pa shkuar në zgjedhje të reja?

Jemi në një gjendje ku ngërçi politik i tanishëm kërkon zgjidhje procedurale dhe zgjidhja procedurale kërkon të prononcohet fituesi i zgjedhjeve. Përderisa fituesi i zgjedhjeve të mos prononcohet lidhur me mandatarin e ri gjendja mbetet në situatën ku jemi, në një qeveri në detyrë. Meqë po i afrohemi fundit të fazës së parë të pandemisë do të ishte mirë që sipas procedurës palët politike të uleshin dhe të arrinin një marrëveshje për të dalë nga ky ngërç në mënyrë kushtetuese. Por tabi kemi një përpjekje të bashkërenduar mes Thaçit dhe udhëheqjes së ngushtë të LDK që të formohet një qeveri që do ti shkonte më për shtat zotit Thaçi dhe kjo është një gjendje që po e acaron klimën politike në vend në një situatë ku jemi dhe në pandemi.

E keni quajtur qeveri e re e kontrabanduar e përbërë nga tre lista.

Qeveria e kaluar u formua pa nevojë që të veprojë Lista Serbe. Ishte brenda sipas detyrimit kushtetues por jo pjesë e koalicionit. Insistimi që të formohet një qeveri e re që detyrimisht duhet të ketë nevojë për Listën Serbe do të thotë se Vuçiq ka një veto në formimin e qeverisë së Kosovës. Do të thotë se qeveria e Kosovës mund të formohet vetëm me pëlqimin e Vuçiq. Kjo është një gjendje që e ngarkon qeverinë e re. E dyta është Lista Ruse e drejtuar nga Pacolli, ka qenë i dërguari rus në Kosovë. Ai përfaqëson një mentalitet të shkrirjes së interesit publik me interesin e biznesit privat që është model rus në politikë. Pa votat e tij është e pamundur të formohet ky koalicion. Dhe lista e të hyrave që është një lloj status quo, këta deputetë të zgjedhur kanë frikë se nuk mund të zgjidhen mandatin e ardhshëm, ka ministra që kanë frikë se nuk mund të jenë në mandatin e ardhshëm dhe pastaj ka një sërë aktivitetesh brenda ndërmarrjeve publike që ndihen të rrezikuara nga reformat e qeverisë Kurti.

A sjell ndonjë rrezik largimi i qeverisë, mund të ketë përplasje civile?

Nuk i duhet fryrë zjarrit, ka zjarr të mjaftueshëm. Duhet maturi dhe një marrëveshje që do të çonte drejt zgjedhjeve të parakohshme kurdo që mund të ndodhin.

A mund të jetë qeverisje e qëndrueshme LDK-AAK?

Mendoj se nuk do të formohet fare. Do të ketë përpjekje, por ky kontrabandim është antikushtetues dhe nuk ka legalitet dhe nuk do të ketë as legjitimitet popullor. Është një aventurë shumë e keqe, e rrezikshme dhe e panevojshme kryesisht për ata aktorë që i janë futur kësaj.

A ka pasur rol SHBA në rrëzimin e Kurtit?

Ka qenë një orkestrim i Thaçit që prej kohësh e ka personalizuar politikën dhe interesat e veta në ndërmarrje të ndryshme ekonomike-kriminale, qoftë në kuptimin e kërkesës së një lloj amnistimi për ndjekjen eventuale penale. Ky veprim i tij ka pasur sukses për fat të keq me LDK, kjo është aventura e tij e radhës.

Tirana zyrtare po hesht, dje Kurti deklaroi se Rama nuk i ka kthyer përgjigje letrës së tij.

Nuk di si ta shpjegoj. Di që Shqipëria si çdo vend tjetër është krejtësisht normale që të jetë zhytur thellë në angazhimin rreth Covid-19. Kështu duhet të ishte dhe Kosova, e cila për fat të keq po merret me një krizë politike që e ka krijuar vetë.

Pse është sjellë në tryezën e konsumit mediatik aminstia e krimeve serbe në Kosovë nga Baton Haxhiu që dihet se është njeri i afërt edhe me Presidentin Thaçi, edhe me kryeministrin Rama? Ai ka folur edhe për zhbërje të Gjykatës Speciale dhe për një definim të Veriut.

Është pjesë e përpjekjeve të Thaçit në negociatat me Vuçiç dhe kjo nuk është gjë e re. Ka dy vjet që Thaçi po përpiqet të krijojë rrethana të amnistimit të përgjithshëm dhe të zhbërjes së Gjykatës Speciale. Në vjeshtë të vitit të kaluar Thaçi i dërgoi letër sekretarit të jashtëm amerikan Pompeo ku kërkonte që të zhbëhej Gjykata Speciale dhe mori përgjigje negative. Përmendja e këtyre tre gjërave nuk është e rastësishme, sinqerisht është shprehur diçka që është negociuar dhe është në negociim e sipër. Nuk ka mundësi për amnisti, krimet e luftës janë të paamnistueshme. As nuk ka mundësi për heqje të Gjykatës Speciale sepse është e integruar në Kushtetutë. Duhet amenduar Kushtetuta dhe ky është proces i ndërlikuar, për të hequr Gjykatën Speciale. Janë përpjekje të orës së fundit për të krijuar trazira politike në mënyrë që të zhvendoset vëmendja në një çështje të tillë.

Rrezikon Kosova të shndërrohet në një Republikë të harresës?

Janë të rrezikshme dhe përpjekje të Thaçit dhe Serbisë që çështja e përgjegjësisë për luftën e Kosovës të hiqet nga rendi i ditës. Një nga pengesat themelore për pajtimin ka qenë fakti se Serbia nuk do të pranojë se ka një përgjegjësi shtetërore për dëmet, për krimet, për vrasjet që janë bërë në Kosovë. Prej 13 mijë të vrarëve në luftën e Kosovës, mbi 10 mijë janë civilë. Mbi 8600 prej tyre janë shqiptarë. Përgjegjësi për këtë nuk mban një ushtar, as oficer, as një vrasës që nuk ka dëgjuar rregullat por përgjegjësi mban shteti i Serbisë.

A është një akt i kryer që po mbahet i fshehtë?

Nuk është akt i kryer, është një draft që ka kohë që po shqyrtohet nga Thaçi dhe Vuçiç. Për shumë gjëra janë pajtuar. Por Thaçi është i vetëdijshëm se nuk mund të ketë një nënshkrim pa përkrahje të qeverisë të Kosovës dhe pa përkrahje të spektrit politik të gjerë. Ky është një ankth që ekziston.

A ka gjasa të mbyllet një marrëveshje për kufijtë me qeverinë e re Hoti?

Nuk mendoj. Çdo hap që shkon në këtë drejtim vetëm sa do ta destabilizojë Kosovën. Marrëveshjet mes shteteve për paqe bëhen me palë të stabilizuara dhe jo të destabilizuara. Ideja se Kosova duhet të destabilizohet në mënyrë që të bëhet një marrëveshje shpejt e shpejt sa për sy e faqe nuk mendoj se do të ketë sukses.

Cili do të jetë roli i BE në këtë proces? Zyra e Thaçi ka njoftuar se nuk do të bashkëpunojë me Lajçak.

Kjo mund të jetë përzgjedhja personale e Thaçit, nëse nuk do të takohet, le të mos takohet. BE, KE, dhe i dërguari i veçantë kanë nevojë të bëhen shumë ambiciozë në procesin negociator, kanë qenë të dobët në të kaluarën. Kanë krijuar një proces i cili ka shpenzuar kohë, energji por jo rezultate shumë të mëdha. Në disa aspekte ka degjeneruar pozitën e Kosovës. Një proces serioz negociator do të kërkojë që palët paraprakisht të krijojnë një kornizë më serioze negociatore. Kosova nuk e ka luksin të ulet me Serbinë dhe të bisedojnë deri në pafundësi për gjëra të kota, duhet të ulen për çështje thelbësore. Ajo është si do të vendosen marrëdhëniet mes dy shteteve.

Është folur sot për një vizitë të fshehtë të Thaçit në Shqipëri.

Kur kemi imazhe të një trilleri, një filmi ku presidenti hyn fshehtas në një shtet tjetër në të cilin një oligark aziatik fluturon në Tiranë që të shndërrohet në deputet të Kosovës për të votuar qeverinë e re. Duket si triller që do të kënaqte shikuesit.

Prishtina nuk e lejoi të ulej Pacollin pa zbatuar karantimin, Tirana u tregua më bujare.

Në demokraci nuk ka pse të fshehet. Në Britani kryeministri jo vetëm hyri në karantinë por ka shkuar në spital se ka qenë i sëmurë. Nuk e di pse në demokraci duhet të fshehet se çfarë ka kërkuar presidenti në Shqipëri, ku gjendet sot Behgjet Pacolli. Kemi të bëjmë me manifestime të fshehtësisë, dhe kjo është produkt i nevojës për të mos qenë trasnparent. Kjo rrjedh nga nevoja e procesit jo ligjor. Prandaj bëhen të gjitha këto akrobacira.

Një koment për krizën ekonomike nga koronavirusi.

Është një krizë shumë më serioze se ajo e 2008. Jo vetëm që kemi të bëjmë me impaktin e krizës ekonomike deri sot por edhe kur të dalim nga karantinimi në verën e këtij viti do të ballafaqohemi me mundësinë që të kemi një valë tjetër. Kjo nënkupton se e gjithë bota duhet të përgatitet për një normalitet të ri, formë të re të jetës ekonomike dhe shoqërore dhe për koston ekonomike.

Impakti i krizës ekonomike do të ndihet gjithandej, vendet e vogla mund ta ndjejnë më pak por sidoqoftë Shqipëria dhe Kosova do ta ndjejnë te numri i të papunëve dhe pamundësia e hapjes së vendeve të reja të punës. Kjo do të ndihet shumë te turizmi në Shqipëri. Duhet të përgatitemi për një valë të re edhe të sëmundjes, edhe të impaktit ekonomik në vjeshtë.