Bota

Sulm në Somali; ish-ministri i Jashtëm në mesin e të vrarëve

Një sulm vetëvrasës në kryeqytetin e Somalisë, Mogadishu, vrau së paku nëntë persona, përfshirë ish-ministrin e Jashtëm të këtij vendi, Hussein Elabe Fahiye.

Zyrtarët thanë se 13 vetë të tjerë u plagosën.

Përgjegjësinë për sulmin e mori grupi militant Al Shabab.

Shpërthimi i makinës bombë ndodhi në një postbllok të sigurisë pranë pallatit presidencial.

Al Shababi, grup i lidhur me Al Kaidën, kryen shpesh sulme që shënjestrojnë zyrtarët dhe hotelet që frekuentohen nga të huajt.

Militantët e tij janë dëbuar nga Mogadishu në vitin 2011, por grupi vazhdon të kontrollojë territore të mëdha në disa pjesë të Somalisë.

Ambasadori i Somalisë në Kombet e Bashkuara, Abukar Dahir Osman, shprehu keqardhje për vrasjen e ish-ministrit të Jashtëm.

“Ne jemi më të vendosur për të luftuar kërcënimin e terrorizmit ndërkombëtar”, tha ai.