Bota

Sulm në lagjen e ambasadave në Kabul

Së paku dhjetë njerëz u vranë dhe dhjetëra u plagosën nga shpërthimi i një makine bombë në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul.

Sulmi ndodhi në lagjen ku janë ambasadat, ndërtesat qeveritare dhe selia lokale e NATO-s.

Përgjegjësinë për të e morën militantët talibanë.

Ky është shpërthimi i dytë me bombë këtë javë në Kabul dhe vjen në kohën kur zyrtarët amerikanë dhe talibanët i kanë intensifikuar përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje, që do t’i jepte fund luftës 18-vjeçare në Afganistan.

Sipas disa njoftimeve, postblloku që u sulmua të enjten, ndodhet shumë afër selisë së NATO-s.

Më 2 shtator, një sulm i talibanëve, po ashtu në Kabul, vrau së paku 16 njerëz dhe plagosi mbi 100 të tjerë.