INTERVISTA

Studiuesi italian rrëfen vizitën në 1984: Debati në Rinas për thonjtë e lyer dhe buzët e zeza

Mund të duket e çuditshme sot që njeriu, i cili e njeh aq mirë letërsinë shqipe, e ka ngritur një bibliotekë të përkohshme në kuadrin e Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë Festivaletteratura në Mantova, dikur, në vitin 1984, ishte një i ri me flokë ngjyrë platin dhe me thonj të lyer me manikyr të zi.

Por jo vetëm kaq. Ai mund të jetë i pari mashkull, i cili guxoi që me një pamje të tillë të hyjë në Shqipërinë e izoluar komuniste. Luca Scarlinin, kuratorin e bibliotekës “Tirana, un cita in libri”, e takojmë në Mantova. Scarlini tregon se përse u zgjodh kryeqyteti shqiptar si kryeqendra e këtij edicioni, si u mblodhën 200 tituj e më kuriozja, si e kujton Shqipërinë e diktaturës dhe vizitën e tij në vitin 1984.

Interesante ideja të njohësh një qytet përmes letërsisë…

Është shumë e rëndësishme të shohësh se si ndryshojnë qytetet në kohë. Kur isha i ri, mendohej se Berlini do të ishte qendra e Europës, sepse Berlini ishte i ndarë në dy pjesë: ai Lindor dhe ai Perëndimor. Ai Lindor ishte i pamundur që të vizitohej dhe ngjante si një fantazmë përtej murit. Në 50 vitet e fundit, qytetet europiane kanë ndryshuar identitet aq shumë herë, sa është shumë interesante të shohësh se çfarë janë shndërruar sot. Tirana është pa dyshim një qytet i tillë, pasi është shënjuar nga historia dhe sot ka një brez të ri, që këtë histori nuk dëshiron ta shohë më. Gjatë viteve kam punuar shumë në Lindje. Një pjesë e familjes sime është polake dhe në Poloni, që është një qytet shumë interesant nga pikëpamja kulturore, ka një nëntekst të fuqishëm dhe qeveri ekstremisht konservatore. Nga njëra anë, duket sikur vendi është kthyer pas në kohë, por nga ana tjetër, Varshava është një laborator i Europës. Ne duhet t’i largohemi idesë që në Europë janë vetëm disa qytete që i japin ritëm kulturës, sepse gjithçka ndryshon për shkak të politikës. Për shembull, Londra e Beatles, pas Brexit është një vend tërësisht i ndryshëm nga ai që ka qenë. Po bëhet kryeqyteti i endacakëve, sepse edhe jeta po bëhet e hidhur. Ndërkohë që ka qytete të tjera, që askush më parë nuk i dëgjonte të përmendeshin, por papritur janë kthyer në vende që ia vlen të shkosh.

KOMBINATI I TEKSTILEVE STALIN NE TIRANE

Tirana është një nga këto qytete?

Tirana është një nga ato qytete, që ia vlen të njihet dhe letërsia shqipe njihet vetëm pjesërisht, sepse në Itali ka edhe një problem që lidhet me përkthimin. Përkthehet shumë pak nga letërsia e vendeve të Europës Lindore. Unë e kam ndjekur përmes projektesh të ndryshme dhe vë re se titujt e përkthyer nga kjo letërsi janë të pakët. Dhe është e rëndësishme që ta njohim këtë vend që është kaq pranë, ku veprojnë shumë biznesmenë, ku njerëzit shkojnë për të bërë pushimet, ku Saranda dhe Vlora janë kthyer si Rijeka e Kroacisë në vitet ’80. Shumë gjëra kanë ndryshuar, ca për mirë, ca për keq, por ndryshimi është ndryshim. Dhe është interesante të shohësh se si disa mekanizma letërsia i ka paraprirë, edhe në kohërat kur nuk kishte asnjë mjet komunikimi dhe shkëmbimi. Në Itali, Shqipëria ka pasur një ndikim të fortë, edhe për shkak të komunitetit arbëresh, që e kanë kthyer Kozencën në një nga qendrat kulturore shqiptare më të rëndësishme në botë. Kjo nuk është e vogël. Edhe pse bëhet fjalë për Kalabrinë, që duket sikur është e izoluar, përmes botimeve.“Rubbetino” ka arritur të kalojë kufijtë lokalë drejt atyre nacionalë. Ka shumë elemente që mungojnë, por shpresoj që ky aktivitet të ketë shërbyer edhe për të tërhequr vëmendjen e shtëpive të tjera botuese. Ky është rasti për të tërhequr vërejtjen që letërsia shqipe të përkthehet nga gjuha origjinale, sepse edhe Kadare është përkthyer nga gjuha frënge dhe jo ajo shqipe.

80

Si është e mundur, ne jemi kaq afër dhe kemi kaq shumë shkëmbime mes vendeve tona? Si ka mundësi të mos ketë përkthyes nga gjuha shqipe?

Kjo është e vërtetë, por nuk janë shkëmbime kulturore. Italianët që vijnë në Shqipëri kanë më shumë interesa biznesi dhe këto janë dy botë shumë të largëta. Gjithsesi, bota kulturore kozentine ka bërë një punë të rëndësishme, por “Rubbettino” nuk ka atë forcë, pasi nuk i ka të drejtat e botimit të Kadaresë, të cilat i kanë shtëpi botuese më të mëdha.

Pra, ju po thoni që gjithsesi, Kadare nuk është e mundur të lexohet ashtu si duhet në gjuhën italiane?

Në vitet ’80 ishte vetëm Kadare i përkthyer në gjuhën italiane, me “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i cili ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm, edhe falë filmit me Mastroianin. E më pas, çdo përkthim ka ardhur nga frëngjishtja dhe janë pak të çuditshëm, pasi unë i kam lexuar të gjithë librat, fillimisht në frëngjisht e pastaj në italisht dhe janë dy gjëra të ndryshme. Kjo është një temë mbi të cilën duhet reflektuar, me qëllim që të përkthehen nga shqipja të paktën disa nga veprat themelore. Kur lexoj çka është bërë në gjuhën franceze dhe që është bërë shumë në këto dhjetëvjeçarët e fundit, kuptoj se veprat e Kadaresë varen shumë nga poezia e gjuhës, ritmi, mbi baladën, poezinë popullore, folklorin… Si në rastin e Nabukovit, i cili u përkthye në gjuhën italiane nga anglishtja amerikane. Ai vetë ka përkthyer një pjesë të veprës së tij në gjuhën angleze, por ajo ka kuptim vetëm në rusisht, sepse ishte shkrimtari më avangard në Rusinë e viteve ’20 dhe kur u përkthye dukej si një gjë e çuditshme, sepse nuk ishte më vepra origjinale, por një hije e asaj që ishte. Aq më tepër që gjatë 900-ës kemi shumë shkrimtarë, të cilët kanë pasur probleme me regjimin kur kanë ndërruar atdhe, gjuhë…

Tirana në vitet ‘80

Rasti i Kadaresë është i veçantë dhe raporti i tij me regjimin diktatorial ka qenë i komplikuar…

Nuk mund të jap gjykime, sepse ishin epoka të komplikuara. Në bibliotekë është edhe një intervistë që ai ka me Eric Faye, ku është shumë i ashpër me veten, ku thotë se kishte raste që njerëzit bënin gjëra që nuk donin t’i bënin, por nuk kishin rrugëzgjidhje. Për shembull, në kohën e fashizmit, mes profesorëve të universitetit, që ishin më shumë se një mijë, kur erdhi momenti i betimit, vetëm 13 prej tyre nuk u betuan, u mënjanuan dhe shkuan në ekzil. Pra, 13 në 1 mijë. Edhe të tjerë më vonë morën qëndrime, por në atë moment jo. Kështu që, nuk mund të jap gjykime, sepse asnjëherë nuk i dihet.. E rëndësishme është që të mos i ngremë njerëzit në qiell e pastaj t’i rrëzojmë, sepse jeta është komplekse dhe çdonjëri ka një identitet të shumanshëm.

Shkrimtari dhe studiuesi Luca Scarlini

Të kthehemi te Tirana në libra, si i keni siguruar titujt e bibliotekës së ngritur për festivalin?

Kam punuar shumë me Universitetin e Kozencës dhe me të gjithë studiuesit e letërsisë shqipe në Itali, si me Lucia Nadin në Universitetin e Venecias, me Francesco Altimarin nga Universiteti i Palermos. Sa herë që ne punojmë mbi një qytet, u nisim një thirrje të gjithë bashkëpunëtorëve tanë, së bashku me programin dhe propozimet tona dhe ata bëjnë shtesa ose korrigjojnë diçka. Është e pamundur të punosh i vetëm, sidomos për gjëra kaq specifike.

Ju e njihni Shqipërinë jo vetëm përmes letërsisë, kur e keni vizituar për herë të parë?

E kam vizituar disa herë. Vizita ime e parë ka qenë në vitin 1984

Ç’ju ka mbetur në mendje nga Shqipëria e atëhershme?

Më kujtohet policia, ushtria gjithandej, Sigurimi i Shtetit. Në vitin 1984, unë isha biond platin, me thonj të lyer me të zi, qepallat dhe buzët po ashtu. Jetoja në Londër. Kur mbërrita në aeroport, më kërkuan të hiqja manikyrin dhe të fshija buzët, sepse një burrë me thonj e buzë të lyera në Shqipëri nuk ekzistonte. Por unë e ktheva në një çështje principi dhe fitova: Kam hyrë në Shqipëri me thonj të lyer me të zi, qepalla e buzë të zeza, sepse u thashë që kjo ishte një formë të shprehuri që nuk mund të ma mohonin. Më thanë që nuk duhet të flisja me askënd të moshës sime, sepse vetëm fakti që isha veshur në atë formë, ishte një provokim tashmë.

Cili ishte qëllimi i vizitës suaj asokohe?

Erdha me tim atë, i cili kishte qenë partizan dhe bënte pjesë në Shoqatën e Partizanëve dhe çdo dy vjet bënin një tur dhe shkëmbenin eksperienca si ish-partizanë. Atë vit i qëlloi atij të ishte organizator. Ai nuk kishte qenë asnjëherë, por disa miq të tij po. Ishte diçka shumë interesante, sepse ishim një delegacion super i blinduar, që u zhblindua me të ardhur. Dhe ishte një situatë tepër e këndshme. Qëlluam në një dasmë në një fshat të vogël mbi Gjirokastër, një orë e gjysmë larg me makinë. I ati i nuses i ngjante shumë tim ati. Ishin të dy trupmëdhenj dhe krijuan miqësi menjëherë, filluan të përqafoheshin dhe gjithçka u kthye në një festë të madhe, përfshirë edhe Sigurimin.

Ju keni ardhur një vit para vdekjes së Enver Hoxhës, sa ndihej prezenca e tij?

Ndihej kudo prania e tij. Ngado, nëpër altoparlantë jepeshin fjalime të Enver Hoxhës. Gjatë gjithë kohës flitej për të. Por ekzistonin edhe shumë legjenda të tipit që, situata ishte pak a shumë si në Spanjë, ku Franko kishte dy muaj që kishte vdekur, por ndërkohë hiqeshin si të ishte i gjallë. E njëjta gjë thuhej edhe për Enver Hoxhën.

Kur jeni rikthyer në Shqipëri?

Jam kthyer në vitin 1993 dhe ishte komplet një botë tjetër. Dhe ishte normale, kur një vend ndryshon me një shpejtësi të tillë, nuk ka se si të mos ishe i ekzaltuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.