SHËNDETËSIA

Studimi rekomandon privatizimin e pjesshëm të dy shërbimeve në QKUK, menaxherët kundër

Dy studime fizibiliteti janë bërë në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, e që në përfundim kanë rekomanduar edhe privatizim të pjesshëm të dy shërbimeve, atë të hemodializës dhe sterilizimit.

Janë paguar 100 mijë euro, raporton KOHA.

Pagesa është bërë nga kompania e njëjtë, e cila e kishte bërë raportin e Fizibilitetit në Shqipëri për të njëjtat shërbime. Pas raportit, hemodializa në Shqipëri kishte kaluar në partneritet publiko-privat (PPP).

Megjithatë, menaxherët e kontratave për të dy shërbimet e kanë njoftuar me shkrim menaxhmetin se janë kundër.

Dy shkresa të menaxherëve nga dy shërbimet, të cilat i ka siguruar KOHA, kanë nxjerrë telashet e studimit të fizibilitetit për këto shërbime, por edhe refuzimin që këto shërbime të privatizohen.

Ky raport ka ardhur në konstatim që hemodializa të centralizohet në një njësi apo repart të vetëm.

Menaxherja e projektit për studim të fizibilitetit për hemodializë, Hajrija Zatriqi-Korça, përmes një shkrese që mban datën 14 maj të këtij viti, e që i është drejtuar drejtorit Basri Sejdiu, një gjë të tillë e quan të gabuar.

Përmes raportit të fizibilitetit propozohet që shërbimi i hemodializës të bartet te një operator ekonomik.

Por, një gjë e tillë, sipas shkresës, është e gabuar dhe mund t’ia japë monopolin dikujt.

Edhe në sektorin e sterilizimit janë kundër privatizimit të këtij shërbimi.

Menaxheri i kontratës, Zijadin Veseli, me shkresë të datës 14 maj drejtuar drejtorit të SHSKUK-së, ka thënë se është kundër privatizimit dhe se studimi i fizbilitetit për kompaninë që është paguar 100 mijë euro nuk është asgjë më shumë se raportet e shërbimit të sterilizimit, që i bëjnë për periudha mujore, tremujore ose vjetore.

Në këtë shkresë përmendet edhe fakti që kjo kompani një studim të tillë e ka kryer edhe në Shqipëri dhe se ka pasur pasoja atje.

Shërbimi i hemodializës në Shqipëri pati kaluar në partneritetin publiko-privat në vitin 2016, megjithatë një hap i tillë është përcjellë me skandale të shumta e kosto të lartë parash të humbura.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.