SPORT

Stinori i Formula 1 mund të zgjasë deri në janar të vitit të ardhshëm

Stinori i Formula 1 mund të zgjasë deri në janar të vitit të ardhshëm, ka thënë shefi i Ferrarit, Mattia Binotto, shkruan BBC, transmeton Koha.net.

Tetë garat e para të stinorit në Formula 1 janë shtyrë shkaku i koronavirusit, ndërsa ka gjasa të shtyhet edhe gara e Shpërblimit të Madh të Britanisë e paraparë të mbahet në korrik.

Binotto ka thënë se skuadrat janë në bisedime konstante me Formula 1 se si të vazhdohet me këtë stinor.

“Ne jemi duke biseduar për disa ide, zhvillimi i disa garave brenda një periudhe të shkurtër, ndoshta zhvillimi i dy apo tri garave në janar, e po ashtu edhe anulimi i provave të rregullta që zakonisht mbahen çdo të premte para garave”, ka thënë Binotto.

Sipas kalendarit të rregullt gara e fundit e stinorit është ajo e Shpërblimit të Madh të Abu Dhabit më 29 nëntor.

Kryetari i Formula 1, Chase Carey ka thënë në një komunikatë javën e kaluar se pret që stinori të nisë në verë.